Arta Haziri-Nuhiu, anëtare e Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shprehur shqetësimin e saj, për siç ka thënë, rritjen e numrit të lëmoshë kërkuesve në Gjilan e që është bërë shqetësim për qytetarët.
Nuhiu, këto shqetësime të saj i ka ngritur edhe në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ku është shprehur se nuk ekziston mundësia që gjatë kohës sa pini një kafe me një mik, të mos të ofrohen minimum pesë lëmoshë kërkues dhe se e keqja më e madhe është se nuk dimë a janë vërtetë në gjendje të rënd ekonomike, a kanë probleme mendore, apo janë të organizuar nga grupe të caktuara profiterësh.
“Ne si komunë, në koordinim dhe bashkërendim me organet e rendit, duhet ta bëjmë një plan strategjik përmes së cilit krijohet mundësia e kapjes se këtyre grupeve profitere, dhe të bëhet identifikimi i këtyre lëmoshë kërkuesve, dhe në bazë të legjislacionit në fuqi, të bëhet deportimi i tyre nga Kosova, ngase siç edhe e dimë, shumica e tyre janë nga Shqipëria”, ka thënë Nuhiu.
Sipas saj, në mesin e tyre ka edhe persona me të meta mendore, e të cilët paraqesin rrezik për qytetarët, sidomos për fëmijët që frekuentojnë sheshet e qytetit.
“Ne jemi përgjegjës para qytetarëve dhe çdo shqetësim i tyre duhet të na obligojë të hulumtojmë për zgjidhje të shpejtë dhe të qëndrueshme. Personat që kanë probleme mendore, të identifikohen dhe t’i drejtohemi institucioneve përkatëse shëndetësore për t’u marrë me ta”, ka thënë Nuhiu.
Ajo ka shtuar se, të gjithë, e kemi për obligim të kontribuojmë për një qytet të qetë, njëkohësisht t’i ndihmojmë ata qytetarë që jeta i ka sprovuar në forma të ndryshme.