Në prag të ndeshjes së 11-të kampionale, KF Dukagjini – FC Drita kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Ardit Tahiri folën për përgatitjet dhe pritshmëritë nga ndeshja e nesërme.
Trajneri Nuhiu vlerësoi kundërshtarin, për çka tha se tashmë FC Drita ka krijuar një ide se si t’i qasemi ndeshjes nesër.
“Ata po rikthehen, ata kanë një skuadër agresive dhe e shpejtë në sulm me futbollistë cilësorë. Por, mua më gëzon fakti se edhe skuadra ime po kalojmë një formë të mirë dhe do të mundohemi që të dalim te loja jonë. Atë ide që kemi përgatitur për ndeshjen e nesërme pres nga futbollistët të performojnë në mënyrë perfekte. Jemi të mobiizuar, të dalim të japim maksimumin, sepse e dijmë që do të jetë përballje e fortë dhe e luftuar. Për këtë duhet të sakrifikojmë gjithçka që të marrim këtë ndeshje”, ka thënë Nuhiu.
Ndërsa, futbollisti, Ardit Tahiri u shpreh i kënaqur me formën e skuadrës, për çka theksoi se DRITA është skuadër konkurruese dhe kërkuese çdoherë.
“Atmosfera në ekip është perfekte, gjithçka po shkon në rregull. Për çdo lojë ne po e përgatisim ndeshjen në maksimum dhe për atë po kemi sukses gjithmonë, pasi atmosfera është tepër e mirë brenda ekipin. Jemi një ekip shumë konkurruese për titull dhe shpresoj që t’i kapim ndeshjet një nga një, e pastaj të fitojmë edhe titullin”, ka thënë Tahiri.
Sulmuesi Tahiri u pyet për formën e mirë dhe golat e shënuar, derisa theksoi se do të jap maksimumin sa herë që paraqitet me skuadrën.
“Si lojtar respektoj vendimin e trajnerit dhe ata minuta që më ipen mundohem ta ndihmojë ekipin në maksimum dhe të shfrytëzoj rastin për shënim. Sado minuta që t’i kem e jap më të mirën prej vetes. Dëshira ime është të shënoj sa më shumë gola për ekipin, gjë që e ndihmon edhe skuadrën edhe mua si lojtar. Por, fokusi është që ekipi të fitojë dhe jo aspekti individual, prandaj qëllimi është fitorja e përbashkët”, ka potencuar Tahiri.
Gjatë konferencës u diskutua për ecurinë e klubit, formën e lojtarëve dhe konkurrencën brenda grupit.
Për këtë, trajneri Nuhiu theksoi se të gjithë futbollistët janë të gatshëm të bëjnë maksimumin, ndërsa FC Drita duhet të vazhdojë ecurinë pozitive.
“Të gjithë janë të gatshëm dhe djemtë po stërviten shumë mirë dhe të bëjnë me kokëdhimbje, sepse çdonjëri kërkon të jetë pjesë e formacionit. Por, është e rëndësishme që skuadra të fitojë dhe ata që paraqiten të bëjnë maksimumin pavarësisht sa minuta janë në fushë ta ndihmojë skuadrën për të arritur qëllimin. Është detyrë e imja të marr maksimumin nga ta apo t’i sjellë në formën optimale. Kontigjenti i futbollistëve është i plotë i mirë dhe të gjithë janë të gatshëm. Është vetëm një pjesë e kampionatit, sepse realisht ka edhe shumë ndeshje. Duhet të përqendrohemi te skuadra jonë, sepse në futboll momentin që neglizhon mund të ndëshkohesh”, përfundoi kryetrajneri Nuhiu. /2LONLINE/