Në “Zahir Pajaziti” të Podujevës pritet të zhvillohet ndeshja e parë sezonale për edicionin 2024/25 ndërmjet Llapit dhe Gjilanit, e kryetrajneri i skuadrës gjilanase, Ardian Nuhiu ka thënë se ekipi që ai drejton është gati për fillimin e kampionatit në elitën e futbollit kosovar për edicionin 2024/25.
Ai ka vlerësuar ekipin e Llapit, i cili do jetë kundërshtar i parë i Gjilanit për sezonin e ri futbollistik, ndërkohë që ka potencuar që është i kënaqur nga ajo se çfarë ka treguar ekipi që po e drejton.
“Jemi përballë një sfidë ndaj një kundërshtari shumë të respektuar me një rol të rëndësishëm në kampionatin kosovar duke e dëshmuar me kualitet dhe paraqitje në arenën ndërkombëtare. Kundërshtari ka ruajtur bërthamën e skuadrës dhe ka intervenuar në afatin kalimtar të verës me disa ndryshime. Së bashku me stafin kemi analizuar ekipin kundërshtar dhe mezi presim që të vjen momenti i ndeshjes, pasi që kam besim të plotë te grupi dhe te skuadra ime. Ne do të bëjmë maksimumin dhe besojmë që do të dalim mirë nga ky takim”, theksoi Nuhiu.
Kampionati kosovar është në rritje e sipër dhe për këtë më së miri flasin rezultatet e klubeve kosovare në arenën ndërkombëtare. Për trajnerin Nuhiu skuadra që ai drejton do të jetë në nivel konkurrues me skuadrat e tjera nga kreu i tabelës.
“Kampionati kosovar është në rritje e sipër dhe për këtë më së miri tregojnë ndeshjet ndëkombëtare, pasi që klubet nga kampionati kosovar kanë shkuar më larg se klubet tjera të rajonit dhe ende asgjë nuk ka përfunduar. Ne kemi punuar dhe jemi përgatitur që të jemi gjithashtu kompetitiv me skuadrat tjera nga kreu i kampionatit. Gjatë këtyre 50 ditëve qëndrimi së bashku me ekipin më kanë bindur që jemi skuadër e fortë, duke marrë shkak edhe ndeshjet kontrolluese të cilat i kemi zhvilluar. Kemi një skuadër të etur për sukses me futbollistë të dëshmuar dhe besoj shumë që do jemi pjesë së bashku me ekipet e kreut. Por, aktualisht ne jemi të fokusuar për ndeshjen e nesërme ndaj Llapit, pasi që ndeshjet do t’i marrim një nga një”, potencoi kryetrajneri i Gjilanit.
Duke folur për skuadrën, Nuhiu ka shtuar gjithashtu se do të pres edhe më shumë pasi që futbollistët të njohin edhe më shumë njëri tjetrin.
“Ne jemi një ekip i ndërtuar rishtazi. Shoh një profesionalizëm, një nivel më të lartë nga futbollistët të cilët i kemi përzgjedhur dhe e dijmë se çfarë presim nga ta. Deri më tani nga ajo se çfarë kanë treguar unë jam i kënaqur. Normalisht që pres edhe më shumë, por komponimi normalisht që do merr kohë”.
“I gjithë ekipi është i gatshëm për sfidën e nesërme ndaj Llapit, në përjashtim të portierit Aridon Bllaca, i cili ka një shqetësim të vogël dhe të cilin e presim gjithashtu në ditët në vijim. Pjesa tjetër janë të gatshëm për ndeshje”, përfundoi Nuhiu.
Përndryshe, në “Zahir Pajaziti” të Podujevës pritet të zhvillohet ndeshja e parë sezonale për edicionin 2024/25 ndërmjet Llapit dhe Gjilanit. Ora 17:00 do shënoj fillimin e takimit, ndërkohë që transmetimi do të bëhet direkt në “Art Motion”. /2LONLINE/