Në prag të ndeshjes së tetë kampionale, FC Drita ka mbajtur konferencë për medie, ku u paraqitën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Astrit Fazliu.
Në këtë rast, trajneri Nuhiu theksoi se ndeshja e radhës ndaj FC Prishtinës është e rëndësishme, derbi nga e cila pritet një ndeshje e bukur.
Trajneri, Nuhiu njoftoi se futbollistët janë të përgatitur fizikisht dhe janë të gatshëm të zhvillojnë një ndeshje të madhe.
“Ndeshje e nesërme është derbi, nga e cila pres të prodhojë një futboll të bukur nga të dyja skuadrat dhe ta arsyetojë epitetin e derbit. Djemtë janë fizikisht mirë, janë të përgatitur dhe janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka për të zhvilluar një ndeshje të madhe. Prishtina ka futbollistë cilësorë, vlerësim maksimal për kundërshtarin, por jemi përgatitur për atë, në asnjë moment nuk do të nënvlerësojmë vlerat dhe cilësitë tonë”, ka thënë Nuhiu.
Ndërsa, futbollisti Astrit Fazliu, theksoi se janë përgatitur dhe grupi është i përqëndruar për të marrë tri pikët e fitores.
“Është një ndeshje derbi, shumë e fortë dhe takohen dy skuadrat më të mira në vend. Jemi përgatitur maksimalisht për ndeshjen e nesërme, presim fitore, sikur në çdo ndeshje, pavarësisht që në dy ndeshjet e fundit nuk e morëm atë që e kemi merituar dhe për aq sa kemi punuar. Nganjëherë rezultati nuk e tregon realitetin dhe ne përgatitemi e hyjmë në ndeshje për fitore, prandaj shpresoj që nesër të jemi në formën më të mirë dhe të arrijmë te tri pikëshi”, potencoi Fazliu.
Sa i përket ndeshjeve të kaluara, trajneri Nuhiu theksoi se në asnjë moment nuk është i zhgënjyer me futbollistët dhe me shumë përgjegjësi do t’i qasen ndeshjes me FC Prishtina.
“Në momentin që kemi ofruar futbollistë ne kemi treguar objektivin e skuadrës, mendoj se ata janë të vetëdijshëm dhe në shtatë ndeshjet e deritanishme kanë kryer punë të jashtëzakonshme. Ishin të dhimbshme rezultatet në dy ndeshjet e fundit, por mendoj që gjithcka kishim nën kontroll, posedim, qarkullim dhe na mungoi vetëm finalizimi ose krijimi i më tepër mundësive. Ndoshta në këtë ka ndikuar edhe kundërshtari, pasi na kanë analizuar dhe janë mbrojtur mirë. Kemi djemë që me shumë përgjegjësi do të paraqiten në ndeshje, nuk jam i zhgënjyer nga paraqitja dhe nga angazhimi i tyre në fushë. Për mua personalisht kanë qenë humbje aksidentale, edhe ata janë njerëz, që duke kërkuar golin dhe fitoren, kjo gjë edhe mund të ndodhë”, deklaroi Nuhiu.
I pyetur për atmosferën brenda klubit, futbollisti Fazliu tha se në dy ndeshjet e fundit e dominuan kundërshtarin, por ishin të pa fat.
“Ne e kemi dominuar kundërshtarin në të dyja pjesët, por goli nganjëherë është fat në futboll dhe mund të jetë vështirë për të ardhë. Jemi duke punuar maksimalisht që të kthehemi në ekipën që duhet të jemi nga minuta e parë deri në minutën e nëntëdhjetë. Realiteti është që ne mund ta bëjmë dhe kemi kualitet, prandaj mendoj që të përqendrohemi në çdo minut të ndeshjes që rezultati të vje në skajë të punës që po e bëjmë”, theksoi Fazliu.
Ndeshja FC Drita – FC Prishtina zhvillohet në stadiumin e qytetit në Gjilan, të dielën (03 tetor), ora 15:00. /2LONLINE.com/