Derbi i xhiros së 12-të në Superligë mes rivalëve të vjetër Dritës dhe Prishtinës u mbyll pa fitues dhe pa gola (0:0). Në këtë ndeshje, gjilanasit humbën shumë raste shënimi, bile edhe një penallti nga Erjon Vucaj.
Pavarësisht rasteve të shumta dhe penaltisë së humbur, kryetrajneri i kësaj skuadre, Ardian Nuhiu, pas ndeshjes është shfaqur i lumtur me atë se çfarë treguan futbollistët e tij në këtë përballje.
“Mendoj se kemi bërë një ndeshje të mirë, futbollistët dhanë maksimumin, kemi krijuar shumë në pjesën e parë, më vjen keq që nuk fituam, treguam që jemi nivel i lartë dhe kemi shumë cilësi”, deklaroi Nuhiu duke shtuar:
“Penalltia edhe mund të humbet, pas penalltisë kemi krijuar mjaft raste, por thjesht mungoi fati”, përfundoi ai.
Drita mbetet në pozitën e dytë të renditjes tabelare me 23 pikë të grumbulluara. Në kuadër të xhiros së 13-të, ekipi i Dritës udhëton në Pejë për t’u përballur me Besën.