Në prag të ndeshjes së 9-të kampionale, kryetrajneri i FC Drita, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Kastriot Selmani, njoftuan për përgatitjet dhe pritjet nga ndeshja e nesërme, FC Drita – KF Drenica.
Kryetrajneri. Ardian Nuhiu theksoi se kampionati sa vjen e rivalizohet dhe se nesër kemi një kundërshtar aspak të lehtë, me të cilin duhet dhënë maksimumin.
“Kemi ndeshje me një skuadër që po kalon një formë të mirë, një skuadër e cila taktikisht luan mirë dhe futbollistë cilësorë. Nuk diskutohet ne kemi analizuar kundërshtarin, kemi përgatitur ekipin këto dy ditë sa kemi pasur kohë për t’u përgatitur për ndeshjen e nesërme. Duhet me përqendrim dhe vlerësim maksimal t’i qasemi ndeshjes dhe të kthehemi te fitoret. Duhet të japim më të mirën tonë, qoftë edhe nga ndeshja e nesërme. Nga ndeshja në ndeshje e shoh skuadrën duke u rritur, por nuk ka kundërshtar të lehtë, prandaj duhet të bëjmë maksimumin tonë,” theksoi kryetrajneri, Nuhiu.
Të gatshëm për të dhënë më të mirën e asaj që kanë përgatitur janë edhe vetë futbollistët dhe këtë e konfirmoi, Kastriot Selmani.
“Kemi punuar mjaft shumë gjatë stërvitjeve dhe kemi zhvilluar mjaft taktika në këto përgatitje. Mendoj që ato që i kemi stërvitur do t’i zbatojmë nesër në ndeshje. Jemi gati dhe do ta japim maksimumin si në çdo ndeshje tjetër kampionale”, ka thënë Selmani.
Nga pyetjet e gazetarëve u diskutua për formën e deritanishme të Dritës dhe vazhdimësinë e kampionatit.
Në këtë drejtim, kryetrajneri Nuhiu theksoi se kampionati sa vjen e rivalizohet dhe tani e tutje nuk ka kundërshtar të lehtë, sado që klubi ynë ka ecurinë më pozitive.
“Gjithmonë kërkojmë maksimumin, por nuk jemi vetëm në garë dhe kemi edhe kundërshtarë të cilët kanë qëllimet e tyre. Do të kërkojë gjithmonë nga skuadra të përmirësohemi, të marrim edhe më tepër, sepse e kemi mundësinë dhe futbollistët tanë kanë cilësi. Drita është nivel tjetër dhe kërkoj nga skuadra të japim maksimumin tonë, sepse ndeshjet do i bëjmë të lehta kur jemi në maksimumin tonë. Deri më tani kemi ecuri pozitive, por dhe kampionati sa vjen e rivalizohet. Tashmë, jemi takuar thuajse me të gjitha ekipet, i njojim më mirë dhe e kemi edhe më të lehtë për t’i analizuar kundërshtarët me të cilët do të përballemi. Duhet të bëjmë maksimumin tonë, pastaj të shohim edhe ecurinë e të tjerëve”, përfundoi Nuhiu. /2LONLINE/