FC Drita zhvillon ndeshjen e mbetur, atë të xhiros së tretë ndaj FC Prishtina, nesër me fillim nga ora 19:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Për këtë ndeshje në konferencë u paraqitën kryetrajneri, Ardian Nuhiu dhe futbollisti, Rron Broja, të cilët folën për përgatitjet dhe pritshmëritë.
Trajneri Nuhiu theksoi se Drita është kompakte, ndërsa nesër pritet të zhvillohet ndeshje e madhe.
“Kemi një ndeshje, e cila gjithmonë sjell interesim të madh te tifozët dhe për këtë pres që stadiumi të jetë i mbushur. Kjo është një mundësi e artë për futbollistët tanë për të shprehur vlerat e tyre, por edhe për të parë vlerën e kampionatit që vazhdimisht po rritet. Kundërshtari mendoj që ka futbollistë cilësorë, duke mos harruar që edhe skuadra jonë ka potencial. Motivi tek skuadra është i lartë, djemtë mezi presin të dalin në fushë dhe të bëjnë një ndeshje të madhe”, theksoi Nuhiu.
Ndërkaq, futbollisti Rron Broja njoftoi se atmosfera në grup është e mirë dhe motivi nuk mungon.
“Atmosfera në këtë moment është jashtëzakonisht shumë e mirë mes lojtarëve dhe në klub, sepse sigurisht kur fiton edhe atmosfera bëhet më e mirë. Besoj se edhe në ndeshjet e ardhshme duhet të futemi me vetëbesim të madh, sepse kemi zhvilluar ndeshje mjaft të mira në këtë fillim të kampionatit. Kjo duhet të na na motivoi në ndeshjet që do vijnë. Kjo duhet të na ndihmoj që ndeshjet e ardhshme t’i marrim me qetësi dhe të arrijmë maksimumin”, ka thënë Broja.
Ndërkohë, trajneri Nuhiu vlerësoi lartë mbështetjen e vazhdueshme të tifozëve tanë, për të cilët DRITA do e bëjë maksimumin edhe nesër.
“Intelektualët” nuk lënë asnjë ndeshje, ata gjithmonë janë bashke me ne dhe nuk e diskutoj se do të jenë në numër të madh edhe nesër mbrëma për të na mbështetur në maksimum. Besoj se po kënaqen me performancën e djemve, sepse po luajnë futboll cilësor dhe me shumë gola. Uroj që nesër të bëjmë ndeshje të madhe dhe t’ia lëmë fushës, sepse futbolli nuk mund të parashikohet. Por, një gjë e di se do të bëjmë maksimumin për të marrë më të mirën”, ka thënë Nuhiu.
Për tifozët foli edhe futbollisti Broja, duke theksuar se “çdo moment kur “Intelektualët” janë në stadium është një motiv shtesë, rrit adrenalinën dhe na shtyn që të japim më shumë nga vetja. Shpresoj që nesër të jenë në numër të madh që të na përkrahin e të arrijmë synimin kryesor, fitoren”, ka përfunduar Broja.
Ndeshja e mbetur në kuadër të xhiros së tretë, FC prishtina – FC Drita zhvillohet nesër, ora 19:00 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. /2LONLINE/