(2L ONLINE) – Është normalizuar gjendja në rrugët e qytetit dhe në fshatra pas reshjeve të mëdha të shiut sot në Komunën e Gjilanit. Apelohen të gjithë qytetarët të cilët kanë probleme, që të lajmërohen në numrat e emergjencave: 193, 112, 194 dhe 192 dhe menjëherë shtabet emergjente do të intervenojnë
Pas reshjeve të dendura të shiut gjatë ditës së sotme, kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, ka urdhëruar të gjitha instancat komunale duke aktivizuar të gjitha shtabet emergjente që përfshinë Komunën e Gjilanit, Drejtorinë për emergjenca, zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe organet e tjera, për të menaxhuar sa më mirë dhe me efikasitet gjendjen pas reshjeve të mëdha të shiut.
Gjendja po përcillet çdo minutë dhe nuk ka nevojë për shqetësim nga ana e qytetarëve.
Ndërkohë, në ora 16:00 fillon takimi i shtabit të emergjencës për menaxhimin e situatës pas vërshimeve (nën udhëheqjen e nënkryetarit Rexhep Kadriu), i cili do të filloj vlerësimin e menjëhershëm të dëmeve dhe nevojave urgjente./2L ONLINE/