(2L ONLINE) – Së shpejti përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Komunën e Gjilanit do të jenë pjesë e një trajnimi që ka të bëjë me gjuhën e shenjave dhe kjo falë një projekti të Shoqatës së Shurdhmemecëve në Gjilan. Drejtues të kësaj shoqate e vlerësojnë si të një rëndësie tejet të madhe që në institucione të ketë edhe të punësuar me njohuri të gjuhës së shenjave në mënyrë që kjo kategori e shoqërisë të mund të shkojë të kryej punë, pa pas nevojë të përhershme për shoqërues.
Shpresa Sejdiu e cila do të jetë trajnere në këtë projekt ka bërë të ditur për Portalin 2L ONLINE, se një trajnim i tillë do të nis me fillimin e fazës së parë të projektit me 11 shtator, ku në ditën e parë, do të kemi dy orë trajnim (15:00-17:00), dhe se trajnime të tilla do të ketë tri herë në muaj (ditëve të enjte) Sipas saj, faza e parë do të zgjas tre muaj, ndërsa projekti si i tillë për tu finalizuar nevojiten së paku dy vite, por për këtë duhet mbështetje.
Shpresa Sejdiu tha se në këto trajnime do të ketë si asistentë Orhan Bejtën, një punëtor i palodhshëm i shoqatës, e pritet që në trajnim të marrin pjesë zyrtarë komunal, të policisë, gjykatës, të institucioneve shëndetësore, e të tjerë, e ku vlerësim i tyre do të bëhet nga bordi si dhe kryetari i Komisionit Reshat Sejdiu.
Përndryshe, Shpresa Sejdiu tha se në këtë trajnim pjesëmarrësit do të mësojnë komunikimin bazik përmes gjuhës së shenjave dhe do të jenë të aftësuar që të komunikojnë pastaj pa ndihmën e dikujt tjetër me persona shurdhmemecë.
Në këtë mënyrë, sipas saj, edhe kjo kategori do të socializohet me të gjithë nëpër institucione qofshin ata që punojnë, qofshin ata që kërkojnë shërbime, duke u bërë pra pjesë e barabartë e jo të mbeten apo ndihen të margjinalizuar.
Përndryshe, për pjesëmarrësit do të lëshohen edhe certifikata të ndjekjes me sukses të këtij trajnimi.
Nga ana e tyre, përfaqësues të Shoqatës së Shurdhmemecëve , Faredin dhe Reshat Sejdiu e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm trajnimin e zyrtarëve të ndryshëm nëpër institucione të ndryshme, sepse anëtarët e kësaj shoqate, apo njerëz të kësaj kategorie do të socializohen, do të jenë pjesë e shoqërisë në përgjithësi dhe do të mund t’i kryejnë punën pa pas nevojë për shoqërues për të komunikuar me palët që u drejtohen.
Edhe Faredini edhe Reshati thonë se është shumë e rëndësishëm që njerëzit nëpër institucione të dinë shenjën e gjuhës sepse si rrjedhojë e komunikimit të gabuar me këtë kategori, mund’ t’ju kushtojë atyre, dhe si shembull marrin aspektin shëndetësore, ku për rrjedhojë të një komunikimi të gabuar mund t’ju kushtoj me shëndet një shurdhmemeci.
Përndryshe, ata kanë falënderuar Komunën e Gjilanit që mbështetë këtë projekt dhe në këtë drejtim veçojnë dhe janë falënderues ndaj kryetarit të komunës Lutfi Haziri dhe Drejtorit të Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, Ismail Januzi, që po e përkrahin këtë projekt.
Nga shoqata e Shurdhmemecëve thonë se në trajnime të tilla po pati interesim, mund të marrin pjesë edhe nga komunat tjera fqinje.
Përndryshe, nëse ky projekt realizohet suksesshëm, vlerësohet si një ndër punët më të mira që po bëhen me grupe të ndryshme me nevojë, për të mos i lënë ato në margjina, andaj edhe nga të gjithë duhet të përkrahet ky projekt, por edhe projekte tjera të kësaj natyre. /2L ONLINE/