Futbollistja gjilanase, Tringa Nevzati tani e disa vite është aktive në futbollin kosovar, gjersa është pjesë e klubit “Intelektualët” që garojnë në Superligën e Kosovës në futbollin e vajzave.
Tringa Nevzati vjen nga Përlepnica e Gjilanit dhe nga mosha 7 vjeçare, kur ajo u kyç në futboll, u pa se po rritej e formohej në një futbolliste premtuese.
Futbollistja gjilanase tregon për Portalin 2LONLINE.com, hapat e parë në futboll dhe dëshirën për ta vazhduar ëndrrën e saj si një futbolliste profesioniste.
“Dëshira ime për futboll me ka lindur qysh kur kam qenë 7 vjeçare, sepse rrjedh nga vendbanimi me traditë të futbollit siç është Përlepnica, ku nga ky vend kanë dal shumë talentë edhe në te kaluarën edhe sot. Prandaj unë si e re e vazhdimisht kam luajtur me djemtë e klasës e pastaj edhe me djemtë e fshatit. Dhe në fund kam vazhduar stërvitjet në klubin Intelektualet me trajnerin Afrim Mehmeti”, tregon Nevzati.
Ajo ndër vite është dëshmuar për talentin në këtë sport kolektiv, por me cilësi dhe formë të mirë individuale ashtu edhe në të mirë të grupit.
Ajo është pjesë e futbollit aktiv tani e 5 vite dhe aktualisht me klubin e saj luan në pozitën qendërsulmuese, ndersa është njëra nga golashënueset më të mira në klub.
Nevzati gjithashtu përfaqëson ngjyrat e Përfaqësueses së Kosovës në futboll për grupmoshat U-16. Është optimiste për të ardhmen e Kosovës në futboll, ndërsa synon që karrierën e saj ta zhvillojë edhe jashtë vendit.
“Unë luaj edhe për Kosovën dhe pozita ime është mesfushore e krahut të djathtë. Synimet e mija janë të vazhdoj me lojëra të mira dhe të luaj edhe për kombëtaren A, e pastaj të provoj nëse kam fat të luaj edhe jashtë Kosovës”, thekson ndër të tjera, Tringa.
Krejt një fund, futbollistja e suksesshme ka një mesazh për bashkëmoshatarët e saj, konkretisht për vajzat që e duan futbollin e që mund të hasin në paragjykime.
“Mesazhi im për vajzat që e duan futbollin është që të vazhdojnë dëshirën e tyre dhe rrugën e shumë futbollisteve nga Kosova, siç janë Blerta Shala dhe Kaltrina Biçkaj nga Gjilani e pastaj Fatmire Bajrami e Kosovare Asllani, të cilat janë shembull i suksesit të Kosovës”.
Prandaj, stërvituni dhe duajeni futbollin, thotë ajo, sepse suksesi nuk do t’iu mungojë.