Akademik Mehmet HALIMI
NJË VEPËR ME VLERË TË SHUMËFISHTË HISTORIKE E ARTISTIKE
“Kujtesa është gjah,
shkrimi është kurth”
(popullore)
HASAN BUNJAKU, I LINDUR NË DESIVOJCË të malësisë së Gollakut, por i rritur, i selitur, i burrëruar, i shkolluar e i arsimuar në Gjilan, i takon rinisë përparimtare e patriotike të brezit të shkrimtarëve: Rexhep Elmazit, Teki Dervishit e Beqir Musliut, të cilit iu mohua e drejta për shkollim. Pas rënies së diktatorit Rankoviq i ndoqi studimet në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Prizrenit dhe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Karrierën e tij si mësimdhënës i gjuhës shqipe e filloi në Shkollën Tetëvjeçare “Vuk Karaxhiq” (sot “Thimi Mitko”) e pastaj vazhdoi si gazetar korrespondent i “Rilindjes”. Më 1999 e themeloi, e ideoi dhe e redaktoi Radion Megavox. Ishte edhe drejtues i Sektorit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjilan. Ishte autor i mbi 180 artikujve vlerësues e recensues të kritikave letrare e teatrore dhe i më se dyzet poezive artistike, që dëshmojnë për prurje shkrimore cilësore, jo vetëm në gazetari, por edhe në art teatror si Kryetar i Këshillit Artistik të Teatrit të Gjilanit. Ai e themeloi edhe Shoqatën Kulturore “Drita e jetës”. Mendja dhe penda e tij kurrë nuk u ndal as nuk pushoi, ndaj edhe sot në pleqërinë e tij, ai mediton e krijon, shkruan e sajon dhe harton vepra me vlerë të shumëfishtë historike e artistike, origjinale e unikale, siç e dëshmon, me veprën e tij më të re: “Një gjakim i pafat – Demirovitët Bunjakë desivojcas”, dramatike e tragjike, siç ishte fati i shumë familjeve shqiptare në një periudhë të caktuar historike.
Pra, autori ynë në fjalë, si gazetar i shquar dhe i çmuar, si poet dhe kritik letrar e teatror, Hasan Bunjaku, i lindur në një fshat atdhedashës e arsimdashës të maleve të Gollakut, në Desivojcë – ku për herë të parë e thithi ajrin e pastër të këtyre maleve kreshnike, ku e piu ujin e gurrave të kthjellëta kristalore të këtyre bjeshkëve krenare – u rrit e u edukua në një familje patriarkale fshatare e bujare, dhe duke qenë kureshtar dhe i etshëm për mësim dhe për dije, dhe të dëgjojë për të bëmat dhe të kaluarën historike të popullit të vet, cucërrohej në një qoshe të odës dhe përcillte e regjistronte në kujtesën e tij çdo detaj. E kur erdhi në Gjilan, një pjesë të historisë, një plis dheu të Gollakut, e mori me vete, e ky ishte informatori më besnik e më autentik, babai i tij, i cili jetoi gjatë si një rrap shekullor, duke i përballuar furtunave natyrore e shoqërore.
Hasan Bunjaku që në fëmijëri kishte dëgjuar për luftërat e bëmat e kësaj ane të tërthores së Gollakut në veçanti dhe të Anamoravës në përgjithësi. Në këtë malësi lindën dhe u rritën burra trima e me famë, luftëtarë të shkathtë të pushkës si Lot Vaku, Can Vaku, Hysen Zhuja, Mulla Idriz Gjilani, Muharrem Fejza, Shefki Desivojca (Bunjaku), Sylë Zarbica e Lam Shahiqi e shumë të tjerë, të cilët me trimëri e guxim luftuan gjatë tërë jetës së tyre në kufi te “Gardhi i shkaut” për lirinë e popullit e atdheut të vet, nga njëra anë, por nga ana tjetër Malësia e Gollakut dha edhe njerëz të pendës, intelektualë të shkolluar e të arsimuar të cilët kontribuuan në shkollimin e arsimimin, në edukimin e emancipimin e popullit të kësaj treve. Sepse “Lapsi është armë më e fortë se topi.” Ndaj, është krejt e logjikshme dhe e natyrshme që në rrjedhën e moteve të pritjeve e prurjeve normale e optimale, në zgrip të shekullit XX, në varganin e intelektualëve paraardhës të radhitet edhe autori Hasan Bunjaku, i cili me mjeshtri të hollë diti “ta zotërojë pendën, si bujku i stërvitur parmendën” dhe të na e sjellë veprën e mirëpritur artistike e historike me titull karakteristik e specifik: “Një gjakim i pafat – Demirovitët Bunjakë desivojcas”.
Nuk është lehtë “Me ba vek, pa yrrnek”
(popullore)
Autori Hasan Bunjaku, i njohur si gazetar dhe mjeshtër shijehollë i pendës, kësaj here po na paraqitet me një vepër origjinale e unikale, e titulluar me një titull simbolik: “Një gjakim i pafat – Demirovitët Bunjakë desivojcas”, në frymën e traditës popullore dhe me një të folme dialektore, është shkruar dhe formësuar si monografi romanore për trungun, jetën dhe fatin historik të një familjeje patriarkale të Malësisë së Gollakut, që përveç prozës popullore në të folme dialektore sjell edhe letërsi gojore, dukuri etnologjike, besëtytni si: “E kini ni mallkim, qi asni hap nuk ju len me e ba” ose “Kjo Turki e kafshës keqe, do t’ju bjen shumë telashe”, doke e zakone, mesele e anekdota, urime të mira e të rralla autentike e origjinale, që ruhen e kultivohen në këtë tërthore malore, nga njëra anë, por në këtë monografi familjare romanore, dokumentare e artistike e historike, ndeshim edhe lëndë të pasur dialektologjike, onomastike e leksikografike. Këtu gjejmë edhe leksik të rrallë e të spikatur popullor, që meriton të zë vend në fjalor, si: almise, mokën, rrëshmoi, laura, lmezë, tferrë, ting-tangall, tërthorëza, topërllamë, hargallinë, sheshtinë, etj. si dhe leksik oriental, që sot nuk përdoret më, por dëshmon se si kjo e folme popullore, në mungesë të gjuhës së shkruar letrare, ka qenë e ngarkuar me barbarizma orientale, si: muharrebe, harp, muhasere, memeleçet, vilajet, milet, dovlet, konisë, razi, angllatisë, daktisë, sajdisë, teklif, nasihat, kasavet, dajma, e shumë të tjera; frazeologjizma: “shyle byl”, “na duel dardhë ukere”, “as te hapa as te hupa”, “Kemi metë as me ktuhen as me Turkinë”; thënie popullore: “Vramë n’kofsh burrë, po t’shamën e t’ramën s’ta duroj”, “Sot ksaj pune po ia lidhim kryet”; fjalë të urta: “Burrnia kthehet me burrni”, “Zoti i ka lanë dy t’mira: t’damen e dekën”, “E kojtmja e korit burrin”, “Shpinë e man nera e razia” etj.; urime: “Paçi faqen e bardhë, kësi burra asht shtirë me gjetë!”, “Shyqyr Zotit qi t’gëzoi e qi t’paska pshtue gjallë ky djalë!” etj.; këshilla: “Mos kurseni kurgja, e mos u koritni para dynjaje”, “Pritni gjinën me çehre t’mirë e me fjalë t’mira!” etj.
Autori, Hasan Bunjaku, me përvojë e sprovojë shkrimore ka arritur që lëndën prozodike si histori dokumentare gojore ta organizojë e ta sistemojë në mënyrë unikale origjinale dhe autentike, duke bërë “vek pa yrrnek”, ta ndërtojë një vepër të veçantë të llojit të vet, që nuk e kemi ndeshur deri më sot, nga ana tjetër. Ndaj sipas mendimit tim çdo fjalë është thënë në vendin e vet dhe çdo ngjarje ka ndodhur në kohën e vet. Vepra e autorit në fjalë sjell risi në hartimin e monografive romanore sepse ngjarjet në familjen patriarkale të kohës së shkuar zhvillohen e përjetohen si ngjarje që kanë lidhje konvergjente, si ind që konvergjon fillim e mbarim me fatin historik të kësaj familjeje e që simbolizon e frymon me fatin historik të mbarë kombit shqiptar të në një periudhe të caktuar kohore të historiografisë sonë kombëtare. Autori në këtë vepër historike e artistike na kujton e rikujton, na tregon e ritregon për fatin e familjes patriarkale të Demirovitëve, e cila duke mos mundur ta durojë dhunën dhe terrorin e shovinistëve serbomëdhenj të Monarkisë Serbo-Kroato-Sllovene, kishte vendosur ta shesë tërë pasurinë e paluajtshme dhe bagëtinë, e të shpërngulet për Turqi, sepse “S’rrnohet ktu me kta shkije, qi po na bijnë n’qafë birgajrihak”. Mirëpo, ndodhi që dëshira e tyre nuk u realizua për shkaqe të caktuara: vdekja e një fëmije dhe mbyllja e kufirit. “Askush s’e do vendlindjen pse është e madhe (apo e vogël – M.H.), por pse e ka vendlindje” (Sami Frashëri) dhe se “Guri i randë peshon në vendin e vet” (Fjalë e urtë). Njeriu nuk është gjë tjetër, pos një plis dheu i atdheut të vet, ndaj “He, po zor koka me e ndrrue memleçetin, si me e shkoqë naj copë zemër a shpyrt”, “E për këte kejt fajet i ka qajo Turki, qi mos ja njefsha emnin” – i lëshojnë namët e mallkimet më të rënda njerëzit që janë të lidhur si mishi me koc me vendlindjen dhe atdheun e tyre. Dhe vendosmërinë e tyre pas gjithë atyre dilemave për të mos e braktisur truallin stërgjyshor, autori e shpreh nëpërmjet fjalëve të protagonistit: “Nipi, Shabani, thotë: ‘për inati të shkavit, qi po don me na “përzanë”, me na “fshi si me fshisë” kejt shiptarët, e me e shprazë Kosovën për kolonista shkije pej veneve tjera t’Kralevinës, ere n’e pagofsha me krye, kit kryeçiteli temen – nuk e kam menën me livrit pej kti pragi!’ ”.
Prandaj, sipas mendimit tim, kjo vepër do të shërbejë dhe nuk mund të anashkalohet në asnjë rast, prej asnjë dialektologu, etnologu, folkloristi, orientalisti e historiani, kur do të marrin e do të shkruajnë herëdo-kurdo për gjuhën, doket e zakonet, onomastikën, leksikun e rrallë popullor e leksikun oriental, për folklorin e historinë e kësaj tërthoreje malësore, që dallohet me specifikat e veta të veçanta e të përbashkëta të mbarë popullit shqiptar. Të gjitha këto ngjarje e mbresa janë ruajtur në kujtesën e kthjellët fëmijërore të autorit. Mirëpo çdo ngjarje e kujtim ruhet nëse ajo shkruhet (ose incizohet), sepse “Kujtesa është gjah, kurse shkrimi është kurth”: ashtu siç e zë kurthi gjahun e nuk e lëshon të ikë dot, ashtu edhe shkrimi e përjetëson kujtesën.
Hasan Bunjaku, me aftësitë e tija krijuese e artistike dhe me një bagazh të njohurive historike për vendlindjen e vet, ka arritur me sukses cilësinë e tij shkrimore në hartimin e veprës në fjalë. Sepse një vepër që sjell risi në letërsi nuk është një punë as e lehtë as e thjeshtë, ndaj kur marrim parasysh shprehjen proverbiale “të bësh vek pa yrrnek” – që mund të konsiderohet edhe si monografi por edhe si roman historik e psikologjik. Kjo temë e veprës në fjalë që e prezanton një ngjarje aq të dhembshme, aq tragjike dhe aq dramatike e historike nuk është shqyrtuar, trajtuar e analizuar deri më sot në një mënyrë kaq origjinale e unikale prej askujt. Puna e spikat talentin dhe vlerën e njeriut: “Jo sa din, por sa punon vlen njeriu” (Popullore).
Duke e uruar e përgëzuar autorin, Hasan Bunjaku për këtë vepër të suksesshme e shumë të vlefshme, mund të konstatojmë me admirim e respekt të veçantë kolegial e intelektual se autori në sajimin dhe hartimin e kësaj vepre ka punuar me dashuri të madhe e me përkushtim, me përgjegjësi korrekte, dhe duke bërë një punë të mundimshme e sistematike ai ka arritur ta nektarojë nektarin e shprehjeve të arta e autentike të së folmes së Gollakut dhe mendimet e sakta e të qarta të protagonistëve të monografisë së trungut të gjenealogjisë së Bunjakëve, ta sajojë një vepër të rëndësishme me një stil lapidar e universal për të gjithë ata lexues e studiues që e duan gjuhën amtare, popullin e atdheun e vet dhe e kultivojnë edukatën dhe diturinë njerëzore. Edhe kjo vepër e përfaqëson një segment të dijes dhe të kulturës sonë kombëtare. Publikimi i kësaj vepre e pasuron, e freskon dhe e fisnikëron shpirtin tonë dhe e ndriçon, e shpjegon të kaluarën tonë historike, dialektore, etnologjike e onomastike, folklorike e leksikografike dhe artistike. /2LONLINE/