Shkruan: Arsim Kastrati
SHBA-të nuk kanë asgjë kundër Serbisë. Përkundrazi gjatë dy luftërave botërore luftuan në të njëjtën anë, për të vazhduar me marrëdhënie të mira pas prishjes së Titos me Stalinin më 1948 e deri te vitet e 90-ta të shekullit të kaluar, vitet e Milosheviqit!
Edhe në këtë kohë SHBA-të nuk kishin asgjë kundër Serbisë, ishte vet politika serbe me Milosheviqin në krye që i ftohu raportet me Amerikën dhe vendet tjera të NATO-s duke iu afruar gjithnjë e më shumë Rusisë, interesat e së cilës në Ballkan e gjetiu, ishin dhe janë edhe sot e kësaj dite, në kundërshtim me interesat e NATO-s.
Rreshtimi pro rus i politikës serbe në vitet e 90-ta të shekullit të kaluar ishte rrethanë fatlume dhe përcaktuese për fatin e shqiptarëve e Kosovës.
Në këto rrethana të favorshme inteligjencia shqiptare e kohës, rinia dhe tërë populli i Kosovës, vepruan drejtë, duke trokitur në dyert e politikës amerikane dhe evropiane për ndihmë dhe aleanca.
Me aq fuqi sa kishte ky popull duke qëndruar në rrugën e duhur dhe duke mos i ikur sakrificës, e përjetoi lirinë e pritur me shekuj.
Por, po të mos prishej Serbia me Amerikën dhe Evropën a do të ishim çliruar ne?
Sot Serbia me vendet Evropiane raportet i ka goxha të mira, dukshëm më të mira se sa Kosova dhe Shqipëria.
As me Amerikën keq nuk e ka, vetëm se Amerika sigurisht, dëshiron që Serbia ti afrohet më shumë asaj dhe Evropës dhe t’i shmanget pak më tepër ndikimit të Kinës dhe Rusisë, në radhë të parë.
Një grup politikanësh me rëndësi në Amerikë i paskan shkruar letër administratës së presidentit Biden duke e nxitur atë që të angazhohet në favor të interesave të politikave të Serbisë.
Nëse rastësisht Serbia politike distancohet sadopak nga Rusia dhe anon nga politika evropiane dhe ajo amerikane dhe nëse mbetet kokëfortë karshi problemeve me vendin tonë, a mund të na hapen telashe të reja?
Nëse prishja politike e fundshekullit të kaluar e Serbisë me Evropën dhe Amerikën e krijoi terrenin e favorshëm për çlirimin dhe fillimin e shtetndërtimit të Kosovës, përmirësimi i dukshëm i raporteve të Serbisë me Amerikën dhe distancimi nga Rusia, çka do të thoshte për fatet e Republikës së Kosovës?
Me Evropën tashmë u pa dhe po vazhdon të shihet, sado që ajo mund të deklarohet ndryshe, animin e saj për Serbinë vetëm qorrat s’e shohin.
E politika e Kosovës, viteve të fundit, në disa raste e ka injoruar dhe ka vepruar përkundër këshillave, insistimeve dhe interesave të politikës amerikane për disa çështje tashmë të njohura për publikun e gjerë.
Thuaja se jemi çliruar vetë, thuaja se e kemi krijuar vet shtetin, thuaja se njohjet e tij i kemi siguruar ne vet, thuaja se e mbrojmë integritetin territorial dhe sovranitetin politik vet!!!
Jo, jo, të gjitha këto i kemi në saje të ndihmës së Amerikës. Deri kur?
Asgjë nuk është e përhershme, “panta rei”! /2LONLINE/