( Fragment nga romani UDHËKRYQI )
Ramadan REXHEPI
10.
Të nesërmen, pak para mesditës, në Shëngjergj ia behu një karavan i gjatë me makina të zeza, dy xhipa anglezë dhe dy autobusa të mëdhenj, të cilët, përpos punëtorëve të Ministrisë së Brendshme, sollën edhe shokë të të ndjerit Stanko, kryetarin e Bashkisë Islame, Reshad efendi Plluqkën, Peshkopin Llazar, disa përfaqsues të Shoqatës së Veteranëve, bandën e zjarrfikësve të Ranishtës dhe Danicën, bashkshorten e tij.
Një natë më parë, me thirrjen e Shoqatës së Veteranëve, shëngjergjasit u ftuan të marrin pjesë ”masovike” në përcjelljen e deputetit të vrarë. Përse duhej kufoma e të tij ta kalonte natën në Shëngjergj e jo në Destanovc, ku kishte jetuar i ndjeri vite me radhë, duhej ta dinin autorët e asaj vrasjeje të shëmtuar, por sipas një artikulli që doli të nesërmen në faqet e të përditshmës ” Nova Makedonia”,
Shoqata e Veteranëve, duke e ftuar ”popullin” n´atë përcjellje masovike, donte t´u dëftonte qytetarëve se populli, gjegjësisht punëtorët dhe fshatarët e asaj treve, ishin kundër përpjekjes së nacionalistëve ”shiptarë” që ta minonin bashkim – vëllazërimin e pakicës shqiptare me popullin maqedonas.
Edhe Hirësia, Reshad Efendiu, dukej i mërzitur. Ashtu i thatë e i thinjur nga hallet, memzi që ua hodhi një shikim të ftohtë qëngjave të tij myslimanë. Pas një melodie të trishtë që luajti banda e Zjarrfikësve, Peshkopi Llazar tha diçka në gjuhën e tij dhe Hirësia, pa një pa dy, hipi në një fron të përgaditur enkas për këtë rast dhe këndoi disa vargje nga Kor´Ani i madhnueshëm. Zëri i tij, me dekada i regjur në leximin e surave të Kor´Anit, pezulloi gjatë nën qiellin e Shëngjergjit dhe ndillte zi e pikëllim në kokat e atyre që kishin dy kokrra mend për ta tejshikuar teatrin që luhej para xhamisë. Pak më tutje, rreth e përqark vadës ku ishte rrokullisur ai rahmetliu, nëpunësit e Seksionit B vizatonin me shkumësa të bardhë, matnin largësinë e goditjes, mblidhnin gëzhojat që ishin përzjerë me baltën dhe, me të përfunduar lutja, urdhëruan që arkivoli të nxirrej nga çadra. Ndërkohë që këto përgaditje po zhvilloheshin me përpikmëri të madhe, banda e Zjarrfikësve egzekutonte marshe pikëllimi dhe muzikë revolucionare.
Ky ishte varrimi më i çuditshëm që kishin përjetuar shëngjergjasit. Si e rregulluan dhe mbështollën arkivolin e Stankos me flamur e me lule, të pranishmit, sipas urdhërave të Ministrisë, e futën arkivolin në një makinë të zezë dhe u nisën drejt Destanovcit, të përcjellë nga banda e Zjarrfikësve dhe zëri monoton i peshkopit Llazar, që tërë kohën këndonte vargje të Ungjillit dhe e lëkundte një fanar të huazuar nga manastiri Prohor Pçinjski.
Sikur ta dëgjonte Shoqatën e Veteranëve të Luftës, i Madhi Zot do ta dërgonte një rigë shiu dhe e tërë ajo pamje do t´ishte më dinjitoze: do të qanin instrumentet, do të qante e veja e të ziut Stanko, do të qante edhe balta e Shëngjergjit, të cilën rahmetliu e kishte shkelur disa herë gjatë zgjedhjeve “elektorale”… Shkllap – shkllup, shkllap – shkllup do bënin këmbët e popullit dhe ecja e tyre do të mbillte trishtim në fotografinë që do të botohej në faqen e gazetës ”Nova Makedonia”por kështu nuk ishte e shkruar në defterin e të Plotfuqishmit dhe njerëzia, duke e ndjekur makinën e zezë, filluan t´i zgjidhnin kollaret dhe të kuvendonin sikur kishin dalë në piknik. Bënte ngrohtë dhe dielli digjte si saçi i Gjyshes Shehide.
Të parët ecnin zyrtarët, të kuq e të mërdhezur nga rakia, pastaj vinte Danica, me dy hirësitë për anash, pas¬taj muzikantët, të cilët herë pas here ishin të detyruar ta fshijnë djersën nga balli, dhe në fund shëngjergjasit, goxha të pikëlluar që nuk kishin dalë nëpër ara të duhanit, por duhej ta ndiqnin processionin e gjatë.
Papandehur filloi të frynte një fllad dhe njerëzia e falenderuan Zotin nga mirënjohja. Gratë, të befasuara nga muzika që kalonte nëpër fshat, u turrën drejt portave dhe gjatë kohë e ndoqën ecjen e atij proçesioni me sy të vrenjtur. Tybestikfarë, estakfurrllah. Ku ishte parë ndonjë herë që edhe myslimanët të shkonin në varrimin e një shkau?!
Me të hyrë në varrezat e Destanocit, instrumentët pushuan dhe populli, grupe – grupe, iu afrua varrit të hapur. Ata tjerët, që ishin ministra e funkcionarë, kishin marrë qëndrim gaditu. Ata kishin bërë një goxha rrugë dhe jo pse iu dhimbsej deputeti Stanko, por sepse duhej ta dënonin aktin e ”nacionalistëve” shqiptarë, veshën surratin e njerëzve të ngrysur e të revoltuar. Tani që do ta kallnin atë fakirin në tokë, bashkluftëtaret e tij mezi prisnin të mbaronte edhe akti i katërt i komedisë dhe pastaj të ktheheshin në flladin e zyrave.
Hirësia, peshkopi Llazar, me të parë se të gjithë ishin gati, mori kryqin me dorë dhe në një sllavishte të moçme kishtare, e lajmëroi të Madhin Zot se i ndjeri Stanko ishte gati për t’i dalë përpara. Ai këndoi disa here me radhë, recitoi disa hymne dhe, sa herë që bënte ndonjë pushim të gjatë, njerëzia i vërtetonin fjalët e tij me një “amin” të cilin e kuptonin si maqedonasit, ashtu dhe shqiptarët. Ata sllavishtën e kuptonin ligsht, por aminin e shqiptonin qartë, sepse “amini” ishte buka dhe kripa e jetës së përditshme. Mbase pikërisht për këte, po dhe për t’ i mbajtur iso hyqymetit sllav, shëngjergjasit, kur e mori fjalën Zhiko Kërvopia dhe e quajti Stankon komunist të ditëve të para, nuk e prishën aspak miden e bukës dhe përsëri thanë: amin. Fundja, ç’ mund të thonin n´atë orë të bekuar, kur me sytë e tyre po e shihnin se jeta kishte shumë surpriza. Ca ditë më parë, Stankua e kishte patur fatin e tyre në dorë, ndërsa sot ishte shtrirë në një arkivol të bardhë. Ata e dinin se gjithë ajo dasëm, me klerikë, ministra e muzikantë, ishte si “film” dhe Stankon e qanin po ata burra që e kishin vrarë me dorën e tyre.
Dhe ja: duart e peshkopit u ngritën kah qielli, pastaj ranë mbi barkun e tij të madh. Shokët e të vrarit e mbyllën arkivolin, e lëshuan në varr dhe, të përcjellë nga himniqeveritar “Hej sllaveni, josh ste zhivi”, nisën ta mbulojnë me plisat e dheut të lagët.
As¬kush nuk luajti nga vendi dhe të gjithë shikonin me pikëllim si mbushej toka me tokë dhe si, më në fund, tokë e njeri u shtrinë në të njejtin djep. Kur e mbushën varrin deri te gryka, Faredin Tontonozi dhe Sami Gashi i hipën me këmbë, e qëlluan me lopata dhe, pasi e rrafshuan si katërkëndësh e e mbuluan me lule, e ndoqën turmën që kishte filluar të shprishej.
Edhe tani bënte vapë, por shëngjergjasit, të çliruar nga prania e kaurrëve të Seksionit B dhe të ndarë në grupe më të vogla, u turrën drejt fshatit të tyre. Ata ecnin kokëulur, me cigare në gojë, të lumtur që pas shirave të asaj jave, Kthjella ishte kthyer në shtratin e vjetër dhe ata do të fillonin me korrjen e misrit.
“Eh, dynja, dynja!..” tha xha Faretini. “Kush e kishte menduar që do vinte edhe kjo ditë? Ka qenë shakaxhi, rahmetliu. Mbaj mend, sa herë që varrosnim ndonjë kaurr, ma lëshonte ndonjë thumb.
Ngjishe mirë, thonte, se helbete pendohet e na kthehet si lugat.”
”Ai e kishte me të tallur, o Farko, por unë kam frikë se do bëhet për njëmend,” tha Saliu. “ Prit kur të na gjuaj me gurë e me teneqe në orët e mesnatës.”
Faretini heshti një copë, thua se harroi që ishte me të vëllanë, pastaj shtoi me zë të ngjirur:
”Ai ishte i mirë për së gjalli, o Sali, por dikush e donte të vdekur. Ndryshe, ku do ta gjenin sebepin për të na shtruar në dru? A njëmend e morën Xifin a?”
Saliu bëri po me kokë dhe shtoi.
“E kishin marrë edhe Ilirin, atë fakirin e Ranishtës, pak para se të hynte në fshat,” shtoi Saliu. “Sot e kishin marrë edhe Hajrën.”
“Po ai miku ça paska dashur në fshat?” e pyeti Faretini.
”Nuk e di për Zotin,” tha Saliu. ”Po krejt ngjarjen e kish parë Nailja nga ara e duhanit. Një herë e kishin mbajtur te makina, zare për ta pyetur diçka, pastaj e kishin futur në xhip dhe e kishin shpënë në drejtim të Shkupit.”
”Prit kur të na sulen edhe neve,” tha Samiu. ”Do na vënë në pranga të gjithëve.”¬
”Ti nuk qenke normal,” e qortoi Saliu. ”Ata le t´i vënë në pranga vrasësit të vërtetë, ne s´ kemi bërë gjë. Faretini është dëshmitar që vrasësi i Stankos nuk ishte shëngjergjas. Apo jo, more Farko? ”
”Ashtu është, po Samiu ka të drejtë,” tha Faretini. ”Ata vetë e kanë gatuar këtë kulaç, veçse ne do ta nxjerrim nga zjarri. A nuk ju ra në sy që prap lakuan te Topallajt? Atje shqepin pula dhe shestojnë plane. Shpejt do t´ua dëgjojmë këngën.”