DYLON

Shpërfaqje intriguese përmes kujtesës historike

Shpërfaqje intriguese përmes kujtesës historike
Avatar photo Redaksia

Nga: Xheladin MJEKU

SHPËRFAQJE INTRIGUESE PËRMES KUJTESËS HISTORIKE

EkoHigjiena

Mbresa leximi nga romani “Lëkura e gurit” të Mehmetali REXHEPIT

Përvoja e dëshmuar narrative e Mehmetali Rexhepit në krijimtarinë e deritashme reflekton ngritje cilësore të vazhdueshme. Ky reflektim del i pandryshueshëm edhe në këtë prozë, ku përjetohet po ai vëllim foljor dhe shtjellim tematik cilësor i ngjarjeve si modele të përvetësuara mirë, që ngërthejnë një tërësi të motiveve në konstruktimin e fabulave të veprës. Romani “Lëkura e gurit” si përcaktor tematik dhe si simbolikë e qëndrueshmërisë së vazhdueshme kundruall çdo sprove tronditëse në  jetë, me plot rreziqe, por vazhdimisht i përshkuar nga vrulle jete të krye-protagonistit Moti, defilomi i tij i kujdesshëm në çdo situatë, me shkathtësitë në përballjen me ngjarje të shumta që do t’i imponohen; ndërtojnë ngjarjen të konceptuar në një periudhë të gjatë kohore. Këto veprime të paramenduara apo episodike shpërfaqen si një spektër i kompozuar ngjarjesh në boshllëkun e zhvillimeve të kohës.

Ndërtimi i kompozicionit nga dhjetë pamjet-kapituj në roman, si një fushë-arenë e përhershme, ku defilojnë protagonistë e dytësorë të shumtë, pasqyrojnë një kohë relativisht të gjatë të shtjellimit të ngjarjeve biografike-historike në rrugëtimin e mundimshëm e plotë krajata të Motit. Këto dhe shumë përvoja tjera do t’i shërbejnë për përballjen dhe tejkalimin e intrigave jetësore, që e përshkojnë zhvillimin e ngjarjeve në vazhdimësi.

“E doja mësuesin Cen. Ishte nga ata mësues të menjëhershëm të pas Luftës së Dytë Botërore. Trup shkurtë e thatanik. As i bardhë, as i zeshkët. Jo mjaftueshëm i qeshur. Dukej se kishte moshë vjetërsie dhe nuk pritej t`i shkëlqente secilën herë fytyra. Diçka si ndrojtje e pa dëftuar e rrethonte…”  Shpalos kujtimet për mësuesin, që i trason rrugën e jetës, ku shqetësimet i vijnë paralelisht të pandryshuara me kohën, me zymtësinë, frikën, rreziqet, por edhe me krenarinë që e përvetëson pikërisht nga mësuesi i tij, si një model shkëmbor i të pamposhturit në situata të tilla.

Shtjellimi veprues i ngjarjeve vazhdon të jetë në qendër të ndërtimit të kompozicionit të veprës, prej nga përvijohen situata e personazhe të shumtë. Në këto relacione Motit do t’i ”përfytyrohej babai, një kosëtar bari, të shumtën i ngrysur,” ku pasqyrohet ”zymtësia e vijueshme”, si identifikim me kohën dhe situatat e krijuara. Trajtimi i fenomeneve të ndryshme që perceptohen, këtu vijnë të shtjelluara me kujdes, meqë autori, që në nismë do të vejërojë shumë devijime shoqërore.

“- Nga të gjitha këto kategori frymorësh, e di ti Vijon kush di dhe, kush ankohet më së shumti e më së prekshmi për dhimbjen? Hë:

– S`do mend, njeriu. – Ishte më se e qartë për Vijonin. Madje Vijoni sikur ia përcaktoi kahen e drejtimit të Motit në ligjërimin e tij.” Transformimi i ngjarjeve në përditshmërinë e zhvillimeve e bëjnë interesante jetën e Motit, i cili me kujdes ndjek çdo zhvillim, i shtrënguar të përballet me pengesat që do t’ia parashtrojë koha.

Invencioni organizativ i romanit në fokusin përmbajtësor, sa vjen e merr formën e tij, ku gërshetim ngjarjesh në transformimin e tërësisë narrative krijojnë relacionet e mëtutjeshme të veprimeve të Motit, tashmë i përcaktuar të ndërtojë “një shtëpi prej vargjesh”, si do të shprehet pastaj: “Përjetësisht u lidha me shkrola, me këto hulli të zeza, me të cilat mëtoja të mbillja diçka nga dhimbjet e ngazëllimet, nga fati im i pleksur me fatet e të tjerëve. Fatet nuk ishin të ngjashme, por, meqë ishin të një relievi njerëzor kishin puqjet e tyre”. Në këtë prizëm ngjarjesh do ta gjejë veten, për ta vazhduar rrugën e tij prej krijuesi, me përballjet e shumta në jetë, që herë akuzohet për bashkëveprim me të tjerët për shpërndarje afishesh, herë ndiqej si i dyshimtë për veprimtari armiqësore ndaj pushtetit, etj… Kështu ai po bënte punën e tij prej njeriu të vendosur në rrugëtimin e përcaktuar, që në rininë e tij të hershme, ku liria individuale, liria e popullit dhe e atdheut ishin pikëtakimi i përbashkët në çdo segment të jetës. Ai tashmë po ndërtonte “Poemën e gjallë”, i ndrojtur, por vendimtar në rrugëtimin e tij të pandalur, pavarësisht nga sprovat që ia sillte ajo kohë skëterrë.

Romani, ”Lëkura e gurit”, prek kujtesën historike dhe ndërlidhjen e tërësisë zhvillimore të ngjarjeve deri në ditët e sotme, që përkufizojnë jetën e larmishme të Motit, duke ruajtur frymën moderne të narracionit, që e karakterizon krijimtarinë e Mehmetali Rexhepit, i dëshmuar denjësisht edhe në veprat e tij të mëparshme.

                                                                                     Prishtinë, gusht 2024

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.