(2L ONLINE) – Edhe ata pak banorët që kanë vazhduar jetën në fshatin Muqibabë të Gjilanit, ndihen të revoltuar me çdo pushtet, pasi sipas tyre, për ta Muqibaba ekziston në hartën e Kosovës, veç një muaj, atëherë kur janë zgjedhjet, pastaj atë e fshijnë nga faqja e dheut.
Banorët e këtij fshati të brezit kufitar, të hënën kishin dal në Gjilan, dhe bashkë me kryetarin e tyre Vehid ibrahimi, në cilësinë e përfaqësuesit të fshatit, bënin konsultat e fundit para se ky t’i drejtohet zyrës së kryetarit të komunës, për të kërkuar ndihmë.
Ata ndihen të revoltuar me çdo pushtet, e thanë se janë lodhur edhe nga mediat, pasi, sipas tyre, e kotë të flitet, e kotë të shkruhet, ata po vazhdojnë të jetojnë një jetë të rëndë, atje në fshat pa e ndier dorën e pushtetit të tyre, që do të duhej t’u ofrohet për ndihmë.
Ata thonë se kanë nxjerrë Vehid Ibrahimin në krye dhe ai tani le të flet edhe me media, edhe pse prapë janë skeptikë se edhe ai nuk do të mund të bëjë diç, ndonëse çmojnë angazhimit e tij të deritanishëm.
E Vehid Ibrahimi, i ka thënë Portalit Informativ 2L ONLINE, se ndihet nën presion, pasi bashkëfshatarët e tij e veçmas të rinjtë, kanë filluar t’i bëjnë presion të madh, duke kërkuar që për fshatin e tyre të bëhet diç, sepse kaluan nëntë muaj të qeverisjes së re e gjendja e tyre jo që është e njëjtë por edhe më e rëndë.
“Nuk kanë faj që mu kanë gjuajt në qafë, sepse kemi pas premtime e premtime, dhe natyrisht tani, sidomos të rinjtë e fshatit, duan që në Muqibabë të ketë investime, të shijojnë edhe ndonjë të mirë që mund të bëhet për ta, dhe në mua, si të pari ne tyre, po e gjejnë adresën, për të shprehur revoltën e tyre të arsyeshme”, ka thënë ibrahimi.
Ai tha se banorët janë të revoltuar dhe siç shprehen ata, për politikanët Muqibaba po ekziston në hartë vetëm në kohë zgjedhjesh, kur po vijnë të kërkojnë votën.
“Përndryshe, a u kryen zgjedhjet, Muqibabën zoti e lashtë shëndosh, ajo po trajtohet sikurse të mos jetë më pjesë e Kosovës”, thotë tutje Ibrahimi.
Ai ka rikujtuar se banorët e Muqibabës ua patën bërë me dije edhe politikanëve kur vinin për të kërkuar votë, se po i zhgënjejnë pas zgjedhjeve përherë, madje nuk kanë munguar as shprehjet e thëna para tyre në lidhje me atë se si po i shohin premtimet e tyre, duke u thënë secilit politikan pa dallim shprehjen: “Po na lusin një muaj, e po na trusin 4 vjet”.
Ata duan investime, duan që të rinjtë të shohin perspektivën në këtë fshat kufitar e jo të mendojnë për çdo ditë si të ikin në Gjilan apo gjetiu. Ibrahimi tha se as mjeku më nuk del lartë. Dikur deri para 2 vitesh, vinte një herë në javë, tani nuk vije fare. Po ashtu, janë pesë nxënës (katër nxënës të shkollave të mesme dhe një student), që për çdo ditë vijnë në Gjilan, por kanë telashe me transport sepse nuk ka transport fare në orët e hershme, që do t’ua mundësonte atyre të vijnë me kohë në mësim.
Po ashtu, sipas Ibrahimit investime në rrugë, ujë, ndihmë në bujqësi a blegtori janë nevojë jetike që këta fshatarë të rrinë aty dhe të mendojnë si të gjallërojnë jetën e tyre.
Tani për tani, të gjitha 15 familje që janë atje lartë jetojnë jetë të rëndë dhe kanë nevojë për ndihma edhe elementare, thotë ibrahimi, që këto brenga sot mendon të ja prezantojë edhe njëherë kryetarit të komunës, apo ndokujt nga stafit të tij. /2L ONLINE/