Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë të pandehurit A. A.
Ekziston dyshimi i bazuar se pandehuri ka dhënë para me fajde në vlerë prej 132.500,00 €uro, për ti kërkuar pastaj me kamatë prej 30% nga viktima E. I.. Në rrethanat e kryerjes së veprës penale, cilësitë personale të pandehurit, mënyra e vrazhdë e kryerjes së veprës dhe presioni i lartë ndaj viktimës E. I., ka sjellë në gjendje të rëndë shpirtërore dhe psiqike.
Me këto veprime i pandehuri A. A., dyshohet të ketë kryer veprën penale fajdeja nga neni 331 paragrafi 3 lidhur me 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan, është realizuar bastisja në vendbanimin e të pandehurit, me ç‘rast janë konfiskuar si dëshmi para të gatshme 20.300,00 €uro dhe dokumente që ndërlidhen me çështjet inkriminuese.
Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për sigurimin e të pandehurit në këtë fazë të procedurës.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.