Në Artanë (ish-Novobërdë) serbë ka më shumë se shqiptarë, por në disa mandate kryetari i Komunës ka qenë shqiptar. Kjo për një arsye të vetme: në zgjedhje shqiptarët ishin të unifikuar, kurse serbët kandidonin me më shumë parti. Prandaj, kjo situatë ua ka lehtësuar fitoren kandidatëve shqiptarë.
Duke parë këtë trend, Serbia gjeti një formulë – e formoi Listën “Srpska” dhe kjo menjëherë iu shpagua. Ngase ishte kjo listë që i fitoi zgjedhjet në katër komuna të Anamoravës: Novobërdë, Partesh, Kllokot dhe Ranillug.
Pak kilometra më larg prej këtu, në Luginë të Preshevës, faktori politik shqiptar është i ndarë në dhjetëra subjekte politike. Dhe, ndonëse fitoren e ka të lehtë në Preshevë, në Bujanoc fitoi me “çyk të zorit”, e në Medvegjë fitoren e ka të pamundur.
Në një situatë kur në zgjedhjet e ardhshme është e mundur që të humbet Bujanoci, edhe nga shkaku se me lloj-lloj intrigash Serbia po mundohet të zvogëlojë trupin zgjedhor shqiptar, si domosdoshmëri shihet formimi i një “Liste Shqiptare” në Luginë të Preshevës.
Edhe Bujanocin mund ta gjejë fati i Medvegjës
Kushtrim Kadriu, zëdhënës në Lëvizjen “Vatra” në Gjilan, thotë se numri i shqiptarëve në Kosovën Lindore ka nisur të pakësohet. Atje numri i tyre po bie në mënyrë drastike, ngase menjëherë pas luftës kishte banorë të fshatrave të Malësisë së Bujanocit dhe të Malësisë së Karadakut që emigruan në drejtim të Kosovës, më pas emigrimi vazhdoi edhe kur për Serbinë u hoq regjimi i vizave nga BE-ja dhe shumica e kësaj popullate që ka emigruar tashti janë stabilizuar si në Kosovë ashtu edhe në vendet e BE-së, gjë e cila ka bërë që të bjerë numri i banorëve shqiptarë në Kosovën Lindore.
Me rënien e numrit të banorëve, në masë të madhe ka rënë edhe numri i votuesve shqiptarë, gjë që përbën rrezik të madh që të humbet pushteti në komunën e Bujanocit dhe mund të ndodhë ajo që më herët i kishte ndodhur komunës së Medvegjës, e cila tashti dominohet nga serbët, shkruan “Zëri“.
për më tepër lexon në zeri.info