Nasuf Isufi, një jetë të tërë ia kushtoi arsimit, kulturës, humanizmit… I lindur më 10.05.1936 në Zhegër, ku punoi si arsimtar i edukatës muzikore deri në pensionim. Gjithashtu ishte edhe themelues i shoqërisë kulturo artistike “Idriz Seferi” e që më vonë u shndërrua në Ansambël si dhe ishte i njohur si një fotograf shumë i mirë!
Nasuf Isufi karrierën e arsimtarit e filloi në fshatin Vaksincë e që më pastaj u emërua drejtor i shkollës në Shurdhan, dhe nga aty deri ne pensionim punoi në Zhegër si arsimtar i edukatës muzikore në shkollën fillore “Agim Ramadani” si dhe 10 vite punoi si profesor i kësaj lënde në paralelen e ndarë të Gjimnazit “Zenel Hajdini”.
Ai e deshi shumë punën arsimore dhe ishte shembull në jetë se si duhet punuar me përkushtimin më të madh dhe se kultura në Zhegër identifikohej me emrin e tij.
Në vitin 1970 në kushte dhe rrethana të vështira ai themeloi shoqërinë kulturo artistike “Idriz Seferi” dhe ishte një kohë shumë të gjatë kryetar i kësaj shoqërie.
Të shumta janë aktivitetet e kësaj shoqërie si koncertet e organizuara në shumë vise të Kosovës dhe jashtë saj, emisionet e ndryshme të incizuara ne radio dhe televizion, garat e shumta, pjesëmarrja ne festivale etj. Në kuadër të kësaj shoqërie organizoheshin edhe shfaqje të ndryshme teatrale me nxënësit e shkollës e qe nga të gjithë ata nxënës të shumtë vlen të përmenden, Agim Ramadani heroi ynë dhe bashkëshortja e tij Shukrija.
Në kohën kur nga dhuna shtetërore serbe tentohej të shkatërrohej çdo gjë shqiptare e ku përveç te tjerave, mbylli edhe shkollat shqipe, shqiptarët u organizuan të mbajnë gjallë arsimin shqip, e ku Nasuf Isufi hapi shtëpinë dhe aty u vendosën profesorët e shkollës së mesme dhe se aty ishin deri në fillimin e luftës.
Pasi që shtëpinë ia kishin djegur, kur e pyesnin për shtëpinë, të cilën ia kishin djegur, ai thoshte po i dhimbsen ditarët dhe dokumentet e nxënësve dhe profesorëve sepse shtëpia ndërtohet, por ato dokumente dhe ata ditare nuk kthehen më!.
Pas luftës, pas renovimit të shtëpisë, ai tregoi edhe shpirtin e tij human dhe se të njëjtën zyre që e patën pasur profesorët e që pas Lirisë u vendosen në shkollë, ai te njëjtin lokal ua dha ne shfrytëzim shoqatës bamirëse humanitare “Nëna Terezë” e cila zhvilloi një aktivitet shumë të madh pasi që Zhegra ishte fshati më i dëmtuar në Kosovë.
Duhet theksuar se ai ishte po ashtu një fotografi pasionant dhe se mund të thuhet se nuk ka shtëpi në Zhegër e në Grykë të Karadakut që nuk ka ndonjë foto të shkrepur e zhvilluar nga dora e tij!.
Nasuf Isufi vdiq nga një sëmundje e rëndë më 19 10.2003 në Zhegër! Pas vetes la bashkëshorten, e cila ndërroi jetë këtë vit, por ka tre djem, r një vajzë si dhe mbesa e nipa të shumtë.
Të gjithë ata që e njohën e kujtojnë me mall dhe krenari. U prehtë në paqe trupi i tij! Lavdi veprës se Nasufit!