Pas demonstratave historike të vitit 1981 për Republikën e Kosovës, mërgata shqiptare ishte vënë në përkrahje të drejtpërdrejtë dhe me të gjitha mundësitë intelektuale e financiare që kishte. Në lëvizjen politike të atyre viteve, ku, ishin përfshirë edhe shumë veprimtarë nga komuna e Vitisë të cilët në çdo moment jetonin dhe merrnin frymë me atdheun e tyre.
Njëri nga këta atdhetarë të flaktë, padyshim është edhe Ismet Rashiti nga fshati Sllatë e Poshtme. Shkollën fillore e ka mbaruar në fshatin e lindjes me sukses shembullor. Dy vitet e para të gjimnazit klasik i ka kryer në Viti, ndërsa dy vitet e fundit në Ferizaj. Qysh si student në Fakultetin Filozofik, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe, ka filluar të merrej me veprimtari kulturore, fillimisht në fshatin e lindjes, e më vonë edhe në fakultet. Me iniciativën e tij, në vitin 1976, ishte themeluar Grupi Dramatik, “Sami Frashëri, i cili kishte arritur t’i vënte në skenë dramat “Agu” dhe “Hakmarrja”.
Gjatë kohës së studimeve kishte filluar bashkpunim të rregullt me emisionin “Mbrëmja Gazmore” të Radio Prishtinës. Vlerësoheshin jashtëzakonisht shumë paroditë e shkruara, përmes së cilave, Ismet Rashiti kritikonte hapur dobësitë e sistemit vetqeverisës dhe sidomos padrejtësitë që iu bëheshin Kosovës në zhvillimin ekonomik.
Vala e demonstratave të vitit 1981, e gjejnë në Zvicër. Pas kontakteve që kishte marrë me Kadri Zekën dhe Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Ismet Rashiti, vëhet në shërbim të kauzës kombëtare shqiptare me të gjitha forcat.
Me propozimin e Kadi Zekës, tani Hero i Kosovës, merrë përsipër dhe shkruan parullat e para për Republikën e Kosovës që do të shpaloseshin më 11 prill 1981 në demonstratën e punëtorëve shqiptarë në Bern. Ndër parullat e para që u shkruan nga Ismet Rashiti ishin: “Kosova Republikë!”, “Ne jemi me student!”, “Ne jemi me Kosovën!” « Trepça punon – Beogradi ndërton!”, « Poshtë politika serbe në Kosovë ! », e shumë të tjera, përmes së cilave demaskohej dhuna dhe ora policore që ishte vendosur gjatë muajit prill 1981 në Kosovë.
Pas kontakteve të shumta me Kadri Zekën, Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Ismet rashiti kishte filluar në aktivitet të dendur politik. Pjesëmarrja në tubime e demonstrata, shkruarja e trakteve dhe shpërndarja e tyre në meset e punëtorëve mërgimtar, kishin bërë që të dështonin të gjitha planet e ish Jugosllavisë për « dënimin « e demonstratave në emër të mërgatës shqiptare.
Gjatë të vitit 1981, Ismet Rashiti kishte vepruar në ilegalitet të thellë që të mos rrezikohej nga policia sekrete e Jugosllavisë.
Në tubimin festiv të 28 Nëntorit- Ditës së Flamurit Kombëtar, bashkë me Kadri Zekën, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe një grup veprimtarësh tjerë nga Zvicra dhe Gjermania, Ismet Rashiti, i revoltuar nga ngjarjet e rënda në Kosovë, delë hapur dhe parezerva për Republikën e Kosovës.
Meqenëse e donte puna, me propozimin e Kadri Zekës, veprimtari i përkushtuar për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, Ismet Rashiti, në dhjetor të vitit 1981, futet ilegalisht në Kosovë me qëllim që të mbledhte fakte, fotografi dhe të kontaktonte me atdhetarë për zgjërimin e radhëve në Organizatën Marksiste Leniniste të Kosovës (OMLK). Sapo kishte marrë kontaktet e para, veprimtari, Muhamet Ramiqi-Meti, e informon se kishin filluar arrestimet e mërgimtarëve për pjesëmarrje në demonstrata për Republikën e Kosovës në Zvicër dhe Gjermani. Ismet Rashiti menjëherë kontakton me bashkëveprimtarin e ngushtë, Idriz Arifi nga fshati Uglar dhe së bashku, më 05 janar 1982, sërish nisen për Zvicër për t’i ikur arrestimit të sigurt.
Sapo mbrrinë në Cyrih të Zvicrës, kontakton me Kadri Zekën dhe e informon gjërësisht për të gjitha zhvillimet politike në Kosovë. Nga ky moment, Ismet Rashiti, iu kishte përveshur punës me të gjitha forcat për çlirimin e Kosovës.
Pas vrasjes së Kadri Zekës, Jusuf e Bardhosh Gërvallës, më 17 janar 1982, me atentat politik në Untergrupenbach të Gjermanisë, Ismet Rashiti, shkruan traktin e parë, përmes së cilit e informon opinion në Zvicër për këtë humbje të madhe të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Me këtë rast organizon tubime e protesta para opinionit zvicran.
Me themelimin e Lëvizjes Shqiptare në Jugosllavi, Ismet Rashiti, organizohet në një celulë me Kadri Avdullahun dhe mbanë kontakte e bashkëpunim të ngushtë me atdhetarin, Xhafer Shatri.
Nga ky moment, Ismet Rashiti vëhet në ballë të tubimeve, demonstratave e protestave për Republikën e Kosovës që organizoheshin anë e mbanë shteteve evropiane. Me guzim, mençuri dhe përplotë vullnet, me zërin e tij kumbues e karakteristik, ka udhëhequr demonstratat në Bern, Shtudgard, Cyrih, Paris, Bruksel, Vjenë e gjetu.
Kontribut jashtëzakonisht të madh ka dhënë në klubet e pavarura nga ambasadat jugosllave, « Ikballe Prishtina » në Gjenevë, « Asim Vokshi » në Lozanë, « Shote Galica » në Bulle të Friburgut, « Ganimete Tërbeshi » në Martini të Valisit deri në Dyzeldorf në Klubin « Emin Duraku », ku ishin përfshirë atdhetarë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare.
Nuk ka tubim përkujtimor kushtuar dëshmorëve të mos ketë qenë pjesëmarrës, Ismet Rashiti. Janë të njohura poezitë dhe recitalet e tij përkushtuese, fjalimet politike dhe peticionet e shumta drejtuar organeve më të larta politike e shtetërore të RSFJ-së dhe Serbisë për ndaljen e terrorit kundër shqiptarëve dhe formimin e Republikës së Kosovës si një e drejtë legjitime.
Nga viti 1985, Ismet Rashiti zgjedhet në redaksinë e gazetës ilegale, « Zëri i Kosovës » si redaktor, në të cilat vite me radhë ka shkruar artikuj politik, organizativ e social rreth gjendjes në Kosovë. Njëkohësisht ka qenë redaktor në radiot lokale zvicrane « Zonë » të Gjenevës dhe « Lora » të Cyrihut përmes së cilave në gjuhen frënge, përkatësisht gjermane, informonte opinionin e huaj për situatën e rënd në Kosovë pas demonstratave paqësore të vitit 1981. Njëherit, Ismet Rashiti, pranohet si korrespondenti i parë i Radio Tiranës nga Evropa, ku informon me kohë dhe në mënyrë profesionale për veprimtarinë patriotike të bashkatdhetarëve tanë.
Gjatë periudhës 1983 -1985, Ismet Rashiti ka qenë kryetar i Komitetit të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, për Lozanë, Gjenevë dhe Valis. Njëherit kishte organizuar në radhët e saj disa celula me veprimtarë brenda dhe jasht Kosovës.
Pas themelimit të partive legale në Kosovë, Ismet Rashiti, me tërë potencialin e tij punon si korrespondet vullnetar nga Zvicra për TVSH, ku ishte akredituar një redaksi nga Kosova. Gjatë periudhës 1991-1999, ka dhënë mëse 500 informacione politike, kulturore, arsimore e sportive. Kontribut jashtëzakonisht të madh ka dhënë gjatë periudhës së luftës çlirimtare si correspondent Radios “Kosova e lirë” dhe Agjencisë së Lajmeve, “Kosovapress”.
Pas rënies heroike të Komandantit Legjendar, Adem Jashari dhe të familjes Jashari nga Prekazi, Ismet Rashiti, në emër të gjitha subjekteve shqiptare në Zvicër, ka udhëhequr demonstratën më të madhe, ku ishin mbi 20.000 shqiptarë, kundër terrorit serbomadh mbi popullin e pambrojur shqiptar.
Si gazetar dhe publicist, Ismet Rashiti, ka botuar tre libra të veçantë: Dramën, « Pranvera e Madhe », librin publicistik me titull, « Rrëfanë lirie » dhe monografinë e tij të njohur me titull, « Në rrugën e lirisë”. Njëkohësisht është autor i dhjetra filmave dokumentar për ngjarje të mëdha e figura emblematike siç është humanistja me fame botërore, “Në Tereze”.
Duke pasur parasyshë kontributin e madh për çlirimin e Kosovës, Ismet Rashiti është nderuar me dhjetra mirënjohje e dekorata nga subjekte të shumta politike e ushtarake nga të gjitha trojet shqiptare. Së fundmi, Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, në emër të qytetarëve të kësaj komune, i ka ndarë mirënjohje dhe Dekoratën e 10-Vjetorit të Pavarësisë.
Për shkak veprimtarisë së dendur politike në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe bashkimit kombëtar, Ismet Rashiti për tetëmbëdhjetë vite rresht nuk e kishte parë Kosovën si i përndjekur politik. Pavarësisht kësaj, kudo që ishte dhe ngado që i shkeli këmba, atdhetari i njohur, Ismet Rashiti, mori frymë dhe jetoi me mendje e zemër, pranë bashkëveprimtarëve të tij, brenda në Kosovë dhe viset tjera shqiptare. Në mënyrë të veçant me Sllatinën e tij të dashur, me bashkëfshatarët dhe shokët e fëmirisë dhe të idealit të përbashkët të cilët për asnjë moment nuk e kishte harruar.