/2L ONLINE/ – Klubit të Basketbollit Drita nga Gjilani i kishte ikur afati i paraparë për të bërë pagesën për licencim për edicionin 2015/16, (e hënë ora 16:00) dhe me këtë rrezikohej realisht pjesëmarrja e saj në garat e këtij viti në Superligë. Por, një grimcë shprese është rishfaqur tani pasi Federata e Basketbollit Kosovar ka vendosur ta shtyjë afatin deri të premten.
Përkatësisht, është Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK), ai që ka vendosur që klubeve që nuk i kanë paguar obligimet për licencim për edicionin 2015/16, t’u japë afat deri të premten, më 11 shtator në ora 15:00, që të përmbushin këto obligime.
Bordi i FBK-së, përmes një njoftimi bënë të ditur se e konsideron si shumë shqetësuese situatën, sidomos me ekipet e Superligës, shumica prej të cilave nuk i kanë përmbushur obligimet për edicionin e ri dhe nuk kanë treguar seriozitet të mjaftueshëm në këtë drejtim.
Duke e ditur se fillimi i edicionit është shumë afër dhe javën e ardhshme duhet të hedhet shorti për të gjitha garat, Bordi kërkon nga klubet që të respektojnë afatin e ri, në mënyrë që skuadrat të mund të jenë pjesë e shortit dhe rrjedhimisht pjesë e garave.
KB Drita nga Gjilani është klubi që rrezikon të mos mund t’i kryej obligimet dhe me këtë edhe t’i pamundësohet garimi në Superligë. Gjendja financiare në këtë klub nuk është e mirë ndërsa 10 mijë eurot e premtuara nga komuna, për të cilat ka edhe një vendim të Kuvendit Komunal të Gjilanit, akoma nuk janë derdhur në konton e klubit.
Për më tepër, Fazli Fazliu, drejtor i KB Drita, thotë për Portalin 2L ONLINE.com, se ndihen të injoruar totalisht nga pushtetarët që jo që se zbatojnë një vendim të kuvendarëve, por edhe për mungesë të komunikimit dhe të reflektimit kundrejt situatës aktuale. Fazliu thotë se i kishte çuar moti duart nga Drejtoria për Rini, Kulturë e Sport, tani Njësi, e cila është treguar në vazhdimësi e papërgjegjshme, ndaj sportit në përgjithësi dhe ndaj KB Drita në veçanti, por kishte shpresuar se me marrjen e vendimit nga Kuvendarët gjilanas, zyra e kryetarit, dhe vet kryetari Lutfi Haziri do të reflektojë dhe do të ndihmojë klubin e qytetit të garojë në Superligë.
Sipas tij, më e arsyeshme po tregohet Federata e Basketbollit, sesa komuna dhe në këtë drejtim tregon edhe përpjekjet e kësaj Federate për të gjetur një zgjidhje që KB Drita të mos mbetet jashtë garës. Bile, para se të mësohet për shtyrje të afatit. Fazliu thotë të ketë pranuar një shkresë nga sekretari gjeneral i FBK-së, Leart Hoxha, përmes të cilës ofrohet një mundësi, që KB Dritës t’i mundësohet t’i paguaj obligimet me këste, por se në këtë drejtim garancë duhet të jetë Komuna e Gjilanit.
Referuar shkresës në fjalë, FBK-ja në kërkim të një zgjidhje të pranueshme nga palët, për të mos lënë jashtë garave KB Dritën, e mundëson pagesën me këste, por se kjo duhet të precizohet në një marrëveshje-kontratë mes FBK-së dhe Komunës së Gjilanit ku do të precizoheshin shifrat dhe afatet e pagesave.
Fazliu thotë se Federata kishte vlerësuar angazhimet dhe përkushtimin e kryesisë së klubit andaj për të mos mbetur jashtë garave KB Drita, edhe e kishte njoftuar për këtë opsion, por që vlen deri sot (e mërkurë) ora 15:00, kur Drita duhet të deklarohet pro kësaj marrëveshje. Megjithatë Fazliu thotë se nuk ka përgjigje sepse as nuk po mund më të komunikojë me përgjegjësit në komunë.
Mësohet se Ish ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Drejtorisë për Kulturë, Rini e Sport, Bujar Haziri, më pas përgjegjës i Njësisë për Kulturë, Rini e Sport, është njoftuar nga kryetari i komunës Lutfi Haziri se nuk do të jetë më në atë pozitë, por do të sistemohet gjetkë, dhe se pritet që pasi të kthehet nga Brukseli, kryetari Haziri të emëroj përgjegjësin e ri të kësaj njësie, përkatësisht drejtuesit e këtyre tri sektorëve.
Por, të pritet kryetari Haziri sa të kthhet nga Brukseli, kjo për KB Dritën mund të jetë tepër vonë, andaj nëse duan zgjidhje pushtetarët duhet të reflektojnë. Përndryshe, mbrëmë në hallën e sporteve, basketbollistët e Dritës, të kompletuar kanë vazhduar ushtrimet, përgatitjet e tyre për kampionatin e ri, ani se po përballen me dilemën, do të garojnë apo jo?! /2LONLINE/