(2L ONLINE) – Ky është aeroporti i vetëm civil-ndërkombëtar në Kosovë. Tani së voni është privatizuar nga një firmë turke dhe është pagëzuar me emrin e legjendës më të re shqiptare Adem Jashari. Është ndërtuar një terminal i ri dhe sapo arrin aty të lë një përshtypje më të mirë se ai i vjetri. Duket më i madh më modern dhe më i organizuar.
Jashtë ambient i rregulluar me një fontanë uji interesante në formë shqiponje mu duk, si dhe parkingu në hyrje të të cilit është laura që të ndalon si dhe automatiku që të jep biletën hyrëse sapo shtypë butonin për pagesën e parkingut në të.
Brenda në ballë piktura e Adem Jasharit të uron mirëseardhje. Pastaj, shumë sportel të agjensioneve turistike-udhëtuese si dhe reklamat ndriçuese sipër tyre, filiala bankash, restorante ku një makiato të kushton 1.70 euro si dhe një arkë qelqi e Caritas me bankënota të llojeve të ndryshme të hedhura brenda sajë të destinuara sigurisht për ndihmë.
Brenda natyrisht që kishte edhe shumë udhëtarë që dorëzonin bagazhin e tyre dhe prisnin kohen e fluturimit për destinacionet përkatëse si dhe të tillë që vinin.
E, të tillë që prisnin ata që vinin dhe përcillnin ata që shkonin e si zakonisht ishin shumë më shumë në numër se ata që vinin e shkonin sepse shumë nga ata nuk kishin lënë pa marrë me vete një pjesë të mirë nga familja!
Aty lënë gjurmët e tyre të tillë që kanë pasur fat dhe kanë siguruar një qëndrim apo vize në botën e jashtme si dhe të tillë që vijnë deri këtu nga anë të ndryshme shqiptare për përcjellje dhe kthehen me shpresën e zjarrtë se një ditë edhe ata do kenë mundësinë e fluturimit drejt asaj pjese të Evropës së dëshiruar!
/Xhelil ARIFI/2L ONLINE/