Naxhije GASHANI
NJË DITË KUR DO TË ZGJOHEMI NGA PRITJET
(Cikël poezish)
DALLGË ÇASTESH
Rastis të vjen si përmbytje ai lot
e të merr para kaltrinë e syve tu
Ty të bie pritja dallgëve deri në qetësi
Medet
s’u mësuam kurrë me valët
Rastis të vjen si përmbytje ai mall
e të merr para etja e shpirtit flakëruar
Ty të bie pritja nënqiell deri të pikon shiu
Medet
s’u mësuam kurrë me etjen
NË (MOS)HARRESË
Çfarë mbetet në harresë e mbulon harrimi
Koha zbret majegishtave sipër tij
Nuk zgjon kërshëri për të qenë
Gjallë ( s’) mbetet
Në harresë struken deng të vërtetash
Gënjeshtrat përmbi u bien
Lëngimi në vesh të shurdhër
Ironi
Në marsh harrimi, nisen frazat pakrye
Të kokave boshatisur mendjesh
Koha aleat drunjësh pa rrënjë
Pangopësi
Harrimi s’mbin
Çasteve të djegura etjesh
Spërkatë harresën zgjon kërshëri
Koha gajaset bri lëmsh ngashërimash
S’harron të pikon çaste gri
GURGULLIMË ETJESH
Porta e zemres hapekrah zgjerohet
Rrapëllon shtyer dejve që thyejnë shulet e
Ndryshkura
Përtokë bien muranat e pritjeve
Shpirti ia mësyen binjakëzimit
As edhe një pore nuk ngelet e tharë etjes
Lumenj dalur shtratit përmbytin lëndinat
Lëngëzimit
Ujëvarë gurgullimë malli shuan etjet e
Përmallimit
NËN STINËN QË PRANVERON
Çdo gjë pranveron tani
Udha çanë mespërmes dritën
Ardhja yte e dielltë shpërfaqur retinës syrit
Puthet qepallash nën puhizën e gështënjtë
Ngjyrash
Çdo gjë diellon këtu
Mbi mirazhin tënd del ardhja jote së vërteti
Peizhazh ngrihet urave me shtroje ëndrrash
E ti ecën prajshëm përkundur pëshpëritjesh
Të mjalta pritjesh
NË EMËR TË DITËS SË BARDHË
Ardhsh si drita e bardhë
Ditë kur s’do t’i d(r)uhemi më netëve
As sysh mos na rri e varur hije
E shpresës së rreme
Ti ardhsh paqtë e udhëve me aromë
Të trëndafilit rritur agimeve tua
Mos vono
As mos harro
Ardhja yte s’i duhet vetëm pritjes të thyhet
Gjurmës tënde do t’i shtohet dhe gjurma ime
Në ardhsh eja si drita
Sall ashtu mund ta gjesh hapur
Portën e shpirtit tim
ÇELËSI I NJË VARGU METAFORË
Varg
Në ty shtroj ëndrrat e mia gjerë e gjatë
Flas dashuroj e dëftoj veten time
në veten e parë
Ti etja ime që shuhet me një metaforë
Malli im që shkrihet në një emēr o përemër
dashurie
Varg
Në ty ngrihem në fluturimet ireale mes simfonive
ngihem
Zbres kur dua të harroj dallgën e oqeanit
Të dhimbjeve
Ti stoli im i gatitur sall për ilaçin tim
Ti kaltria ime që përhapet qiellnajës gri
Ndalesa e fundme e prehjeve kur(ë) eshtrash
Gërryen dhimbja
Orë me akrepat që dëftojnë agimet
Varg
I ëmbli vend ku mbështes kryet e kujtoj udhët
Ku ecja mbrëmë
Nënkresë e valë që m’i di hujet e pagjumësisë sime
Zjarr pranë duarsh të mpira acari
Mes një malakulli vetmie
Varg
Ditari im me çelësin në thembrën e një metafore
Të vetme
ËNDRRA QË PRET TË ZGJOHET
Një hap bëj
E drita shpërfaqet midis nesh
Bri udhëve shoh se si çahen muret
Sa vjen e afrohet pranë syve
Shoh veten tek lahet liqenit blu
Mos të jetë sall ëndërr a mirazh
Që soset kur çlirohem druajtjes
Një shenjë e tejdukshme
Për ata sy shpirti
Takimi i dy dritave të syve
Pa atë deng pritash
që u rreshtohen para shikimeve
Një hap bën dhe ti
e sheh se si gjurmët tona bëjnë udhë
ndjenjave të çiltëra që prijnë
Mos të jetë sall ëndërr
A copë dëshire që shkrihet me t’u bërë një me
Etjet
Mall që kërkon të degdiset dejve
shtegut deri nëbregshpirtin tim
le të jetë
ME THINJA SI FLOKËDËBORE
Një ditë kur do të zgjohemi nga pritjet
Do t’i fshijmë sytë me leckat e lagura të së vërtetës
Do të vëmë gishtin në kry’ e veten ta shohim në sy
S’e di në do të qeshemi o do të qajmë për jetën
Një ditë kur do të zgjohemi nga pritjet
Do t’i prekim ëndrrat ta dimë në mbetën gjallë
Do t’u qepemi udhëve t’i takojmë kujtimet
S’e di në do të mërzitemi o do të ndjejmë mall
Një ditë kur do të zgjohemi nga pritjet
Do të jemi diku me thinja si flokëdëbore
Do t’i shndërrojmë përjetimet tona në tregime
Udhëve mund të ecim me bastun përdore