(2L ONLINE) – Edhe këtë muaj si edhe në muajt e kaluar që nga Janari i këtij viti, grupi i formuar për ndihma familjeve të varfra nga Iniciativa Qytetare e Zhegrës (IQZH) dhe Shoqata Humanitare dhe Bamirëse “Zhegra” (SHHeB) nga Gjeneva, bëri shpërndarjen e artikujve ushqimor për familjet në varfëri të skajshme.
Mustafë Jashari në emër të IQZH dhe SHHB “Zhegra” ka rikujtuar edhe njëherë për Portalin 2L ONLINE, se në fillim të kësaj iniciative, banorët e kësaj ane identifikuan tri familje të varfra në kushte shumë të vështira (me të sëmurë, fëmijë me aftësi të kufizuara etj.) që jetonin në heshtje e me shpresa nga dita në ditë se ndoshta dikush që e dinin gjendjen e tyre do t’u ofroj pak Miell, Vaj, Sheqer etj. “Për mendimin tonë nuk ishte e mjaftueshme që kohë pas kohe qytetarët zemërgjerë u ofronin ndonjë artikull ushqimor sa për të mbijetuar. Kështu lindi edhe ideja që duhet bë diçka më të organizuar dhe më shumë për këta të gjorë që së paku t’ua zvogëlojmë stresin e përditshëm të gjendjes dhe varfërisë së tyre”, ka thënë Jashari.
foto arkivi
Ai shtoi se me ndihmën dhe përkrahjen e banorëve të Zhegrës dhe Diasporës (në fillim) tani edhe të banorëve të vendbanimeve përreth Zhegrës (Lladovë, Llashticë, Haxhaj, Demir, Dunav etj) si dhe banorët nga Gjilani, Velekinca dhe miq të tjerë nga Zvicra dhe Franca u bë e mundur që t’u vihet në ndihmë këtyre familjeve, që në fillim ishin vetëm tri, por numri i tyre shkonte duke u shtuar në katra, pastaj pesë, gjashtë, tetë dhe më 1 Shtator 2014, shpërndarja e ndihmave u bë për 9 familje me gjithsej 50 anëtarë nga të cilët 29 fëmijë. “Në mesin e këtyre familjeve gjenden person me sëmundje të zemrës, veshkave, sheqerit, të paralizuar, handikap, invalid, aftësi të kufizuara etj. që ndihmat tona janë pak ndaj nevojave që kanë këta të gjorë, por të shpresojmë se sadopak do t’u ndihmojë në zbutjen e varfërisë së tyre”.
“Vështirë është për dike të paramendoj jetën e vështirë e të përditshme që e kanë këto familje, por në çdo të I-rin e muajit, kur edhe i pritnin ndihmat, mund të shihet në fytyrat e tyre shprehjen e një gëzim të madh të papërshkrueshëm posi të ishte Ditë Bajrami me falënderime të panumërta që nuk mungonin”, thotë Jashari.
foto arkivi
“Ky artikull modest, nuk është për ta lavdëruar një person apo një grup të caktuar të kësaj iniciative apo organizimi, por në emër të skamnorëve, gëzimit që e shprehin në fytyrat e tyre, mirënjohës me falënderime të panumërta, urata e lutje për të gjithë kontribut dhënësit, na u duk e arsyeshme ta arsyetojmë kontributin Tuaj dhe ta ndajmë edhe gëzimin e tyre të gjithë së bashku me ta dhe për çdo muaj deri në ri-këmbjen e tyre me ndihmën e Zotit”, thonë në IQZH dhe SHHB “Zhegra” nga Gjeneva. /2L ONLINE/
foto arkivi