Na ishte njëherë një botë bipolare me USA & BRSS në majë të Olimpit gjeopolitik, pastaj USA e vetme, ndërsa tash duket se kemi një tre polesh: USA, Rusi dhe Kinë, që po i ndryshon kahjet e politikës botërore.
Arsim Kastrati
Po jetojmë në një botë që po ndryshon shpejt, në të cilën i ashtuquajturi “Rendi i ri botëror” si duket ka ndryshuar nga fundi i shekullit të kaluar deri në ditët e sotme për të dytën herë me radhë.
Në periudhën kur rendi botëror karakterizohej nga dominimi i USA only, Kosova avancoi dukshëm duke e fituar një shtet të cilin nuk e ka përfunduar akoma.
Tash kur, siç po duket, kemi hyrë në një kohë të re, me Rusinë dhe Kinën e fortë athua si do të rrjedhin gjërat?
Prej një kohe në kohën tjetër popujt do të ishte mirë që detyrat e shtëpisë ti kishin të kryera, se nuk i dihet ditës së re e fatit të ri.
“Erdhi koha e bani t’veten” është titulli i një kange të bukur që është kënduar viteve të 70-ta të shek. të kaluar në Kosovë, për ta festuar atë periudhë të rritjes së mirëqenies dhe emancipimit të popullit shqiptar në Kosovë;
A thua çfarë këngësh do të këndohen në Kosovë në të ardhmen?
Do Zoti veç me gëzime, por sikur shkruan në librat e moçëm, Zoti do të ketë thanë: ” Ti ruaju pak e unë të ruaj shumë”, dhe kjo i bie edhe: ti mundohu pak, puno pak më tepër e pjesën tjetër ma le mua, në mënyrë që fati yt mos të jetë i rëndë!
E që fati i popujve të mos jetë i rëndë, parakushti që do të duhej plotësuar është pasja e një gjenerate politikanësh të ditur dhe të edukuar mirë, të denjë për të priturat dhe të papriturat që i nxjerr koha përpara çdo populli të rruzullit tokësor!
A e kemi ne në këtë kohë një gjeneratë politikanësh drejtues për të qenë, të cilët mërziten për fatet e popullit të tyre apo shumica dërmuese nuk janë në nivel të pozicionit dhe preokupim të vetëm e kanë interesin personal, familjar, klanor e partiak?!
Nejse, më falni se nuk dua ta prishë euforinë elektorale; Prej zgjedhjesh në zgjedhje, prej hallakamës në hallakamë, shëtit poshtë e përpjetë, vallëzo e këndo si dasmave të verës, e punët tona ngushtë e ma ngushtë, pse?!
Me t’mira!