Në Universitetin Publik “Kadri Zeka” në Gjilan ka qëndruar një delegacion i Universitetit “Angel Kanchev”, nga Ruse të Bullgarisë.
Menaxhmenti i UKZ-së, Prof. Dr. Sadik Haxhiu, prorektor për mësimdhënie dhe çështjeve të studentëve, Prof. Asoc. Dr. Naim Mustafa, prorektor për buxhet, financa dhe infrastrukturë, Prof. Ass. Dr. Arbona Xhemajli prorektore për hulumtime dhe kërkime shkencore dhe Prof. Ass. Dr. Voglushe Kurteshi prorektore për zhvillim akademik dhe cilësi, si dhe përfaqësuesit e zyrës për bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte, Betim Berisha dhe Luljete Berisha, kanë pritur në takim delegacionin e Universitetit “Angel Kanchev”, nga Bullgari, i cili përbehej nga Prof. Juliana Popova, Koordinatore e Komunikimit Institucional nga Universiteti i Ruses- Bullgari, Udhëheqësja e departamentit te fakultetit te biznesit dhe menagjmentit Prof. Ana Popova si dhe udhëheqësi i departamentit në fakultetin Juridik Prof. Krasimir Koev.
Menaxhmenti i UKZ-së shprehu kënaqësinë për vizitën e delegacionit nga Universiteti Ruse, derisa theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillimin akademik për të dy universitetet. Ata në emër të Rektorit Prof. Asoc. Dr. Artan Dërmaku, gjithashtu falënderuan përfaqësuesit nga Universiteti “Angel Kanchev”, për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në ndërtimin e një partneriteti të fortë dhe afatgjatë.
Nga ana tjetër, Prof. Juliana Popova, në emër të delegacionit të Universitetit Ruse, shprehu mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë dhe theksoi se bashkëpunimi i ndërsjellët do të sjellë përfitime të mëdha për të dy universitetet. Ajo vlerësoi iniciativat dhe projektet e përbashkëta që janë në zhvillim e sipër dhe shprehu besimin se këto projekte do të jenë të suksesshme dhe do të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së arsimit në të dyja institucionet.
Gjatë këtij takimi, delegacioni i Ruse-s dhe menaxhmenti i UKZ-së diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm në fushën e arsimit të lartë, duke u fokusuar në projektet e përbashkëta të kërkimit shkencor dhe shkëmbimin e stafit dhe studentëve. Vizita e delegacionit nga Universiteti Ruse u realizua në kuadër të ICM International Credit Mobility, një program që ka për qëllim të përmirësojë mobilitetin ndërkombëtar dhe të forcojë lidhjet akademike mes universiteteve pjesëmarrëse.
Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe rritjes së bashkëpunimit akademik mes Universitetit Publik “Kadri Zeka” dhe Universitetit “Angel Kanchev”, duke krijuar mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik të të dyja institucioneve. /2LONLINE/