Hartat shkollore gjeografike, të cilat përdoren në shkollat tona, janë plot me gabime dhe në të shumtën e rasteve edhe të papërdorshme. Nëse merret në konsiderim mundësia e zgjedhjes atëherë del se edhe atllasi gjeografik i Librit Shkollor duhet të hiqet nga përdorimi.
Shkruan: Ismet Azizi
Zbatimi dhe përdorimi i mjeteve mësimore është e një rëndësie të madhe, sepse mundëson përparimin e procesit edukativo-arsimore si dhe njohjen në përgjithësi të proceseve të të njohurit si kriter i realitetit objektiv gnoseologjik.
Në praktikën mësimore, zhvillimi i teknikës dhe teknologjisë, me të gjitha të mbërriturat shkencore, duhet të jenë të një rëndësie të madhe për zhvillimin e gjithanshëm të procesit arsimor.
Në mësimin bashkëkohor (qoftë ajo në shkollë ose në rastet kur vetë prindërit në shtëpi ju ndihmojnë fëmijëve me detyrat shtëpiake), përveç njohurive teorike duhet të përdorim sa më shumë mjete mësimore adekuate. Në këtë mënyrë bëhet ngritja e kualitetit në proceset edukativo-arsimore.
Nëse bëjmë një vështrim retrospektiv të mjeteve mësimore, mund të konstatojmë se përdorimi i tyre daton qysh prej kur daton edhe shkolla; nëpër të gjitha etapat e zhvillimit dhe ndryshimit të kushteve ekonomike shoqërore të një vendi, shoqërie apo shteti. Në bazë të këtyre ndryshimeve nuk mund të themi se ka pasur dallime edhe në posedimin, zbatimin dhe aplikimin e mjeteve mësimore në procesin mësimor.
Por, çka është edhe më keq, mjetet e konkretizimit në vend se të jenë më praktike dhe më të sakta, neve na dalin të jenë pothuajse të papërdorshme nëse marrim parasysh nivelin e tyre.
Fillimit të vitit shkollor i gëzohen nxënësit por edhe mësimdhënësit, sidomos kur rregullohet ambienti i shkollës dhe kur në shkollë arrijnë tekste, fletore pune dhe mjete të reja konkretizuese.
Edhe pse ka mospërputhje të mëdha në mes tekstit dhe fletores së punës, sa i përket detyrave të dhëna, megjithatë mësimdhënësit mund ta tejkalojnë disi këtë vështirësi. Por, kur është fjala për atllasin gjeografik, i cili duhet të përdoret nga klasa e VI-të e deri në klasë të XII, kjo është e patolerueshme.
Deri sa atllasi gjeografik i Librit Shkollor nuk u shpërndahej falas nxënësve të klasës VI-të, mësimdhënësit kanë pasur mundësi t’i udhëzojnë prindërit të sigurojnë atllas më kualitativ, të shtëpisë botuese Trimaks ose Albas, sepse nuk ka pasur diferencë të madhe në çmim. Deri sa çmimi i Atllasit të botuar nga Libri Shkollor (i cili është në përdorim më tepër se 10 vite, pa u freskuar fare) në shitje ka qenë 3 euro, ai i Albasit 4 euro, ndërsa i Trimaksit 5 euro.
Duke marrë parasysh dallimet sa i përket kualitetit të atllasit të Librit Shkollor me ate të Trimaksit, lirisht mund të thuhet nuk ia vlen të merret ai i Librit Shkollor për asnjë çmim, madje as falas. Ja pse. Atllasi i Librit Shkollor nuk e ka asnjë hartë fiziko-gjeografike dhe ka vetëm tri harta tematike kurse ai i Trimaksit ka hartën fiziko-gjeografike të cilësisë shumë të lartë, e cila është më se e domosdoshme. Atllasi i Trimaksit ka edhe 16 harta tematike, me kualitet shumë të lartë që mundë të përdorën gjatë tërë shkollimit fillor dhe të mesëm por edhe në fakultet. Ose, nëse shikojmë se si është paraqitur Evropa Qendrore në atllasin e Librit Shkollor (gjithsej një hartë) në krahasim me at të Trimaksit (6 harta), vlerësoni vet të nderuar lexues se cili atllas është më i shtrenjtë.
Duke marrë në konsiderim se atllasi gjeografik ka përdorim të gjerë nga të gjithë fëmijët në familje, dhe për gjatë tërë shkollimit fillor dhe të mesëm, nuk mund të konsiderohet se kushton shtrenjtë.
Pse është kështu iu mbetet përgjegjësve të Ministrisë së Arsimit, e jo neve mësimdhënësve e as prindërve. Neve na duhet të na shpjegohet pse është kështu dhe ku e si po derdhen mjetet të grumbulluara nga taksapaguesit. /2L ONLINE/