Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka falëndëruar Qeverinë e Kosovës që ka ndarë 20 mijë euro për fëmijët që humbën nënën e tyre në rastin tragjik në Kamenicë.
Kastrati ka thënë se Komuna e Kamenicës në bashkëfinancim me Qeverinë e Kosovës dhe donatorë të ndryshëm do t’iu ndërtojnë shtëpi këtyre fëmijëve.
“Dje Qeveria e Kosovës ka ndarë 20 mijë euro për fëmijët që kanë humbur nënën e tyre nga rasti tragjik që ka ndodhur në komunën tonë. Për këtë u jam shumë mirënjohës! Si komunë po angazhohemi që këtyre fëmijëve t’u sigurojmë një kulm mbi kokë, bashkarisht me donatorë të ndryshëm që janë lajmëruar”, ka thënë ai.
I pari i komunës ka thënë se një qytetar i Kamenicës ka dhuruar tokën për ndërtimin e shtëpisë.
“Fatmirësisht, një bamirës i Kamenicës i cili momentalisht ka dashur të mbetet anonim, u ka dhuruar tokën për ndërtimin e shtëpisë e të tjerë janë lajmëruar për gjëra të tjera. Kamenica ime bujare”, shtoi ai.