(2L ONLINE) – Ka nisu mbarë trajnimi i fazës së parë të njohjes së gjuhës së shenjave, në të cilën kanë marrë pjesë zyrtarë të institucioneve të ndryshme të Komunës së Gjilanit. Ky trajnim ka nisur falë një projekti të Shoqatës së Shurdhmemecëve në Gjilan. Drejtues të kësaj shoqate e vlerësojnë si të një rëndësie tejet të madhe që përfaqësues të institucioneve të ndryshëm iu janë përgjigjur pozitivisht këtij trajnimi për të pas njohuri bazike të gjuhës së shenjave në mënyrë që kategoria e shurdhmemecëve mund të shkojë të kryej punë, në institucione ku punojnë këta zyrtarë të trajnuar, pa pas nevojë të përhershme për shoqërues, sepse do të jetë i mundshëm komunikimi me ta.
Shpresa Sejdiu, trajnere në këtë projekt ka bërë të ditur për Portalin 2L ONLINE, se ndihet jashtëzakonisht e lumtur që pjesëmarrësit ishin mjaft të interesuar për këtë trajnim. “Sipas bisedave me ta, ne kemi mbetur të mahnitur për mbështetjen e komunikimit aq shpejt të të kuptuarit prej të shurdhërve ku unë si trajnere jam ndier shumë më e lehtësuar dhe shumë e lumtur për këtë”, ka thënë Sejdiu.
Përndryshe, në këtë fazë të parë, trajnimin e parë dy orësh, është ligjëruar dhe trajnuar për rregullat e interpretim, njohurit rreth interpretimit, afërsia me të shurdhëritë, mbështetja, komunikimi dhe alfabeti i gjuhës se shenjave prej a deri te zh.
Shpresa Sejdiu ka bërë të ditur se trajnimi do të vazhdojë të enjteve prej orës 15:00- 17:00. Dhe iu është bërë thirrje edhe zyrtarëve tjerë, në të gjitha institucionet, por edhe të gjithë atyre që vlerësojnë se duhet të kenë njohuri për gjuhën e shenjave, të vijnë në trajnim.
“Janë të mirëseardhur në trajnimin e radhës të gjithë ata që vlerësojnë se mund të kenë punë me këtë kategori dhe do t’ju ndihmojë ky trajnim në komunikimin me ta dhe po ashtu duke e parë të vlefshme mbështetjen e kryetarit të komunës së Gjilanit për këtë projekt, dëshirojmë përsëri ta falënderojmë por edhe ta ftojmë që në një trajnim të jetë edhe vet prezentë.
Nga ana e tyre, përfaqësues të Shoqatës së Shurdhmemecëve, Faredin dhe Reshat Sejdiu e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm fillimin e këtij trajnimi dhe interesimin e treguar nga pjesëmarrësit. Sipas tyre, kur këta zyrtarë të trajnohen, ata do të mund t’i kryejnë punën pa pas nevojë për shoqërues për të komunikuar me palët që u drejtohen.
Edhe Faredini edhe Reshati thonë se vlerësim i arritshmërisë së pjesëmarrësve në këtë trajnim do të bëhet nga bordi si dhe kryetari i Komisionit që është Reshat Sejdiu dhe se për pjesëmarrësit do të lëshohen edhe certifikata të ndjekjes me sukses të këtij trajnimi.
Përndryshe, faza e parë e këtij trajnimi parashihet të zgjatë tre muaj, ndërsa projekti si i tillë për tu finalizuar nevojiten së paku dy vite, por për këtë duhet mbështetje, kanë thënë përfaqësues të Shoqatës së Shurdhmemecëve në Gjilan./2L ONLINE/