(2L ONLINE) – Nisma për Kosovën, Dega në Gjilan përkrahë fuqishëm protestat e datës 23 dhe 24 janar në Gjilan dhe Prishtinë për shkarkimin e Jabllanoviqit dhe për atë se Trepça është pronë e Republikës së Kosovës.
Bajram Hasani, kryetar i Nisma-s , Dega në Gjilan ka thënë se nuk ishte koha e përshtatshme që kryeministri serb të lejohej ta vizitojë Kosovën. Kur si bumerang erdhën edhe deklaratat provokuese të ministrit serb në Qeverinë e Kosovës të cilat nuk sjellin asgjë tjetër pos konfliktit që dinë ata të iniciojnë në vendin tonë.
Hasani mendon se Kryeministri i vendit Isa Mustafa bashkë me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Hashim Thaçin, që janë lider të dy subjekteve LDK e PDK, do të duhej që urgjentisht ta prishin koalicionin me Listën Serbe, pasi ky subjekt funksionon 100% me direktiva të Beogradit. Kjo që bëri Serbia dhe që vazhdon të bëjë në vazhdimësi në Kosovë në mënyrë direkte e herë-herë indirekte është nënçmim i madh për popullin kosovarë. BE-ja nga ana tjetër e ledhaton Serbinë me veprimet e saja të shëmtuara që vazhdimisht bënë përderisa ata që udhëheqin me vendin tonë tregohen indiferent kundrejt këtyre veprimeve.
“Andaj klasa aktuale politike, të cilët drejtojnë vendin duhet të jenë syhapur sepse vendi është në krizë ekonomike, sociale e madje edhe në krizë besimi dhe pakujdesia e tyre i kontribuon shumë problemit i cili është tejet evident. Një çështje tjetër e cila është shumë aktuale e që këtu ndërlidhet është edhe qyteti i Mitrovicës e cila trashëgon Ndërmarrjen Shoqërore me pasurinë minerale më të madhe jo vetëm në Kosovë por edhe në gjithë rajonin e edhe më gjerë në Gadishullin Ballkanik. Jo më kot rajoni i Trepçës ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve të huaj për interesin e mineraleve si dhe ndërtimin e tij gjeologjik”, thotë Hasani i Nisma-s.
Ai shton tutje se e rëndësishme është se Miniera e Staritërgut ka një origjinë antike, ku janë nxjerrë xehe që në shekullin XIII-të dhe XIV-të. Thënë më shkurt prej rreth 70 vitesh nga veprimtaria minerare dhe vendburimi janë nxjerr 35 milion tonë xehe. Thjeshtë ky kompleks gjigant operon në dy njësi, në jug dhe veri të Mitrovicës. Veç aseteve dhe degëve të ndryshme të shpërndara në rajone të ndryshme, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por edhe jashtë saj, ka qenë një prej ndërmarrjeve më të mëdha të ish-Jugosllavisë në vitet e 80-ta, me mbi 20 mijë punëtorë.
Kombinati metalurgjik “Trepça”, dihet tashmë që është ndërmarrje shoqërore e cila menaxhohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, ku shndërrimi eventual në ndërmarrje publike nënkupton kalimin e saj në pronë të Qeverisë së Kosovës. Ndërmarrja gjigante Trepça dhe pasuria e saj gjigante është e pakrahasueshme dhe padiskutueshëm ka qenë është dhe do të mbetet gjithmonë pronë e jona.
“Pra, pas situatës politike të krijuar së fundi, duke bashkëndjerë edhe me “Thirrjet e Nënave”, dhe pas deklaratave të ministrit Aleksandër Jabllanoviq, ofendimi ndaj të zhdukurve të luftës dhe historisë sonë, dhe ndikimet direkte të Beogradit kundrejt institucioneve tona, na shtynë fuqishëm që ti ftojmë qytetaret e Gjilanit të dalim dhe t’i bashkëngjitmi protestave qytetare të cilat kërkojnë shkarkimin e ministrit Jabllanoviq dhe kthimin e ‘Trepçës’ në pronësi të Republikës së Kosovës” ka thënë në fund Bajram Hasani, kryetar i Nisma-s për Kosovën, dega në Gjilan. /2L ONLINE/