(2L ONLINE) – Drejtoria Komunale për Shërbime Publike në Gjilan së bashku me USAID-in, respektivisht projektin ”Avancojmë Kosovën së Bashku”, me kompaninë ”ekohigjiena” dhe me asistim nga vet komuniteti, sot kanë nisur pastrimin e lumit në fshatin Kmetoc, një fshat në të cilin jetojnë qytetarët shqiptarë dhe serb.
Sokol Haziri drejtor i Shërbimeve Publike, ka thënë se ky lum është një problem për fshatin ngase kundërmon një erë të rëndë, por gjithashtu për shkak të mbeturinave të hedhura në të shpeshherë gjatë reshjeve uji hyn nëpër disa shtëpi dhe në arat e mbjella, e që njëkohësisht shkakton edhe dëme.
”Pas kërkesës së komunitetit në këtë fshat që të pastrojmë lumin, ne sot jemi në punë dhe do të pastrojmë rreth 600 metra gjatësi këtë lum, me këtë rast ne do të bëjmë këtu edhe eliminimin e deponive të egra dhe normalisht do të trajtojmë ndonjë rrugë që është e degraduar me zhavorr. Aksioni nga vet aktivizimi i komunitetit të lë të kuptosh se është aktivitet gjithëpërfshirës pa dallime etnike. Kështu këtë model të punës do ta zbatojmë edhe në fshatrat e tjera të Komunës së Gjilanit kudo që ka nevojë dhe kudo që kemi mundësi dhe kështu e kursejmë edhe Komunën ngase përfshirja e USAID-it dhe e komunitetit ulë koston e shpenzimeve. Partneriteti me USAID-in është i përhershëm dhe kështu do të vazhdojmë tutje me punë. Çmojmë dhe e falënderojmë përherë gatishmërinë e USAID-it që të jetë përkrah projekteve jetike të Gjilanit”, ka thënë Haziri.
Ndërsa, Dalivorka Nikoliq, zyrtare për komunikim pranë projektit AKB në USAID, ka përshkruar programin tre vjeçar ta Avancojmë Kosovën së Bashku.
“Bashkërisht kemi dalë të gjithë këtu në fshatin Kmetoc ne si USAID, Komuna e Gjilanit, komuniteti dhe ekohigjiena dhe besojmë se për një kohë të shkurtër do të arrijmë të largojmë këto mbeturina dhe do ta pastrojmë shtratin e lumit dhe këto mbeturina të shumta në mënyrë që ta kthejmë lumin në gjendjen normal. Ky program merret me përmirësimin e kushteve në mënyrë që serbët dhe pakicat tjera të jetojnë në kushte normale dhe pa problem bashkë me shqiptarët si komunitet shumicë. Poashtu në të njëjtën kohë mbrojmë dhe ruajmë trashëgiminë e tyre kulturore”, ka thënë ajo duke spikatur se me këtë program do të përfshihen lokalitete me mbi 600 mijë banorë duke llogaritur këtu 146 mijë banorë nga komuniteti pakicë dhe implementimi I tij zgjatë deri në vitin 2017. /2L ONLINE/