Ka nisur heshtja parazgjedhore, pas një muaj fushatë elektorale, ku të gjitha partitë politike janë munduar t’i bindin qytetarët për t’i votuar. Rregullsia e zgjedhjeve të 3 nëntorit vlerësohet e një rëndësie jetike, pasi vetëm si të tilla do ta ndihmojnë vazhdimin e përparimit të Kosovës drejt rrugës evropiane.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka vlerësuar si të rregullt fushatën parazgjedhore të subjekteve politike, të cilat marrin pjesë në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. KQZ-ja i ka përfunduar të gjitha punët sa i takon përgatitjeve për zgjedhje dhe nuk ka asnjë çështje të hapur për diskutim rreth zgjedhjeve. Gjithashtu, KQZ është në finalizim e sipër vetëm çështja e dorëzimit të materialit josensitiv dhe sensitiv, dhe kjo deri në ditën e zgjedhjeve do të përfundojë.
Zgjedhjet lokale për herë të parë në Kosovë mbahen edhe në pjesën veriore të Kosovës, ndërkohë do të monitorohen nga një numër i madh i vëzhguesve vendës e ndërkombëtar. Përgatitjet për zgjedhjet i ka bërë edhe Policia e Kosovës, pjesëtarët e të cilës do të jenë nëpër të gjitha pikat e votimit, transmeton rtk.
Lista Përfundimtare e votuesve për këto zgjedhje, përmban 1 milion e 779 mijë e 357 emra të votuesve të ndarë në tridhjetë e tetë (38) komuna, me një rritje prej 191 mijë e 103 apo 11.72% në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
Gjithashtu lista e votuesve jashtë Kosovës, përmban të gjithë votuesit të regjistruar suksesshëm. Numri i përgjithshëm i votuesve jashtë Kosovës është 8 mijë e 383. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara janë 6 mijë e 743 votues më shumë, që janë regjistruar për të votuar përmes postës.