(2L ONLINE) – Të shtunën në Gjilan ka nis edicioni i pestë i manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”. Në kuadër të këtij manifestimi që do të zgjasë deri më 20 dhjetor, do të prezantohen botime të reja, do të ketë përurime librash, portrete letrare, brenda këtij manifestimi do të jetë edhe “Panairi i Librit”, si dhe aktivitete të tjera kulturore.
Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Clubi “Beqir Musliu”, një asociacion shkrimtarësh me seli në Gjilan, që organizon këtë ngjare kulturore, ka bërë të ditur se është edicioni i pestë radhazi i këtij Manifestimi, një jubile i vogël i një fushate më madhore për librin në Kosovë, që, edhe këtë herë, si përherë, vjen me vepra të reja,me përurime letrare po, edhe shpalos e shtjellon portrete shkrimtarësh, jo vetëm nga Gjilani e Anamorava po, nga mbarë hapësira shqiptare.
Rrustemi ka thënë se “Vjeshta letrare” kësaj here vije me 16 tituj të rinj, të botuar këtë vit përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, prej të cilëve, vetëm dy tituj, “Trekëndëshi poetik i paqes” edicioni i tretë është mbështetur financiarisht nga MKRS-ja dhe, libri i parë poetik i Qëndresa Shalës, nga Komuna e Gjilanit, përkatësisht DKRS-ja. Të gjitha botimet tjera janë janë financuar nga autorët, me përjashtim të librit me poezi të zgjedhura të Alda Merinit, një poete italiane me famë botërore, botimin e së cilës e ka mbështetur vetë Shtëpia botuese “Beqir Musliu”.
Ai ka bërë me dije se gjatë “Vjeshtës Letrare” në Gjilan nga datat 23, 24 e 25 tetor 2014 do të organizohet edhe Panairi i Librit, ku do të ekpozohen edhe krijimet e Ars Clubit “Beqir Musliu”.
Ndërsa, në emër të kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, të pranishmëve iu është drejtuar Bujar Haziri, ushtrues detyre në Drejtorinë Për Rini, Kulturë e Sport, i cili edhe zyrtarisht e bëri hapjen e këtij edicioni të vjeshtës letrare, dhe se e ka vlerësuar lartë këtë manifestim, duke folur pastaj edhe për përpjekjet e drejtorisë që drejton për avancim të mëtutjeshëm të këtij segmenti, ngase siç ka thënë ai Gjilani është qytet i kulturës.
Nexhat Rexha po ashtu nga Ars Club “Beqir Musliu”, ka folur për avancimin që p oe bënë për ]do vit ky manifestim duke bërë të ditur se tani në edicionin e pestë kemi 16 tituj të botuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu” duke u shtuar edhe vëllimi por duke u ruajt edhe cilësia. Më pas Rexha ka përmendur titujt e rinj që janë botuar duke thënë se është një vlerë që po u ofrohet lexuesve.
Më pas, disa nga krijuesit, librat e të cilëve janë botuar këtë vit, nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, kanë deklamuar par të pranishmëve, pjesë nga krijimet e tyre.
Përndryshe, aktiviteti i radhës në kuadër të “vjeshtës letrare”, do të jetë ai në sallën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, do të përurohet libri poetik i Qëndresë Shalës “Pritja jote jam”. Pastaj, në kuadër të këtij aktiviteti do të pasqyrohen portretet letrare të poetit gjilanas që krijon e vepron në Zvicër, Bujar Salihut si dhe të shkrimtarëve Prend, Buzhala e Zejnepe Alili – Rexhepi.
Po ashtu do të kemi Panairin e Librit në Gjilan ndërsa më pas në kuadër të orës së shkrimtarëve do të paraqiten anëtarë të Pen Qendrës së shkrimtarëve të Kosovës dhe, të Ars Clubit “Beqir Musliu”.
“Vjeshta…” do të vazhdojë me prezantimin e poezisë së Edona Halitit, në Viti, e do të paraqitet edhe libri më i ri i Nexhat Rexhës: “Zogjtë fluturojnë në kafaz” , ndërsa mysafiri i ‘Vjeshtës letrare”, do të jetë shkrimtari Petrit Palushi (Kukës).
“Vjeshta letrare e Gjilanit” do të zgjasë deri më 20 dhjetor 2014, ku edhe do të kemi aktivitetin përmbyllës. /2L ONLINE/