Ekzistojnë shumë arsyeje pse opozita e tanishme nuk e ka guximin ta qeverisë vendin. Thirrja për zgjedhje të parakohshme, është kryekëput për ta mbajt aktiv elektoratin, në fakt për të dërgua mesazhe tek qytetarët se jemi të gatshëm për ti prijë vendit.
Shkruan: Ardian Azemi
Jo, sinqerisht jo. Nuk janë të gatshëm për zgjedhje. Është shumë normale që opozita të angazhohet me ia shkurtua jetën pushtetit, sepse ky është edhe misioni i saj, mirëpo për të shkua në zgjedhje, janë disa parakushte;
Duhet ta dimë si qytetarë çka dallon opozita me pozitë?
Cila është oferta që opozita e ka për qytetarin?
A kemi argumente bindëse se opozita aktuale e ka mundësinë ta bëjë ndryshe qeverisjen e vendit, respektivisht dialogun, punësimin, drejtësinë, shëndetësinë, dhe integrimin e vendit?
Pa dashur të jem subjektiv, edhe pse mund të merrem ashtu, nuk më ka rastisë të shoh një ofertë as afërsisht bindëse se opozita aktuale e ka mundësinë me bë ndryshe. Kemi deklarime që në vete përmbajnë teori të thata, kemi shprehje hapur të inateve ndërmjet individëve dhe grupeve, kemi degradim total të komunikimit publik dhe kulturës parlamentare, dhe asnjëherë nuk kemi dëgjuar se një subjekt politik opozitarë ka plane konkrete për zgjidhjen e një problemi të caktuar.
Nuk kemi arritur ta mësojmë se cili është plan-programi i tyre për zbutjen e papunësisë, për një shëndetësi të mirëfilltë, për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtar, për infrastrukturë, për arsim, politikë të jashtme, drejtësi e shumë segmente.
Kemi kritika të përditshme, deklarime të ripërsëritshme të cilat kanë kalua edhe në deklarata monotone dhe bajate, por assesi të ofrohet zgjidhje.
Një pjesë të opozitës e kemi pasur në pushtet, dhe mbajmë mend se Kosova ishte shndërruar në katrahurë. Asnjë ditë të qetë përgjatë atyre viteve të qeverisjes, Kosova nuk e pa pasur.
Një qeverisje e mbyllur brenda objekteve shumëkatëshe, pa fije transparence e pa vendimmarrje. Me fjalë tjera, qeverisje prej shtëpie përmes rrjeteve sociale.
Kemi pasur votime për presidentin në rrethana thuajse lufte, dhe një kuvend po ashtu i shndërruar në diskotekë. Pra, nuk e kam idenë se në çka bazohen këta njerëz që kërkojnë zgjedhje të parakohshme.
Jam totalisht i befasuar me faktin se pa fije turpi deklarojnë se janë të vetmit që dinë dhe munden me bë një Kosovë ndryshe. Është për tu befasuar, sinqerisht.
E mbaj mend kur opozita kishte kritikuar pushtetin e tanishëm se i krijoj institucionet përmes Listë Serbe, duke akuzuar se kësisoj po faktorizohet politika serbe në Kosovë. Unë e di se pa pakicën serbe, nuk mund ti formoj askush institucionet. Është muhabet tjetër krijimi i një shumice shqiptare, porse pa votën e tyre nuk ekziston mundësia të merret asnjë vendim me rëndësi për shtetin dhe të ardhmen e tij.
Tani, kur Lista Serbe deklaron se do ti kenë votat për rrëzimin e qeverisë, kemi deklarime nga një pjesë e opozitës se nuk do të bashkëpunojnë me ta, porse vota do të numërohet. Do me thënë, ne nuk i themi për votë, por nëse votojnë, i llogarisim.
Pyetja është, a po forcohet kështu edhe më shumë ndikimi i Beogradit në Kosovë?!
Në rrethanat aktuale, gjegjësisht arsyeja pse Lista Serbe deklarohet kësisoj, do të duhej të kishim një unifikim të faktorit politik shqiptar.
Për një gjë jam i sigurt, bile në Vetëvendosje e kanë edhe më të qartë se unë; edhe nëse vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, e që unë mendoj se nuk do të ndodh, të paktën këtë vit jo, Vetëvendosje do të gjejë prap forma për ti bishtnue marrjes së përgjegjësive udhëheqëse.
E kanë gjet një arsyetim përmes të cilit po e mbajnë afër votuesin; nuk bëjmë koalicion me partitë që kanë qeverisë deri më sot!
Atëherë, me cilat parti do të bëjnë koalicion, kur kemi parasyshë se në Kosovë askush nuk do ta ketë mundësinë ti formoj institucionet e vetme?
Jo, kjo është arsye për ti ikë pushtetit, rrjedhimisht drejtimit të vendit. Kosova është në një fazë të vendimeve të mëdha, natyrisht, vendime të rënda dhe të ndjeshme. Vendi ynë është i pafuqishëm karshi shteteve të mëdha ku bëhet vendimmarrja për Kosovën.
Albini dhe Vetëvendosja i kanë parasysh këto, prandaj nuk është i gatshëm as Albini e as Vetëvendosja ta marrin këtë përgjegjësi. Madje, as si pjesë e koalicionit jo. Kjo ndodh për shkak se; nëse Albini do t’i printe vendit, dhe Vetëvendosje në qeverisje, brenda pak muajsh do t’i kthehej kundër i gjithë elektorati, sepse të qenit në pushtet, në rrethana çfarë është Kosova, ta pamundëson sjelljen komode sikur të qenit në opozitë, prandaj nuk kemi sjellje serioze dhe veprime përnjëmend.