Gjilan – (2LONLINE) – Vetëm pak ditë më parë, deputeti i Kuvendit të Kosovës Nijazi Idrizi kishte bërë publike largimin e tij nga PDK-ja duke dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat që ka ushtruar në kuadër të partisë.
Ndërkohë që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës , Dega në Gjilan veç ka bërë të ditur se sot edhe zyrtarisht do të bëhet publike kalimi i tij në AAK., për çka është ftuar edhe një konferencë me gazetarë.
Përndryshe, Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Nijazi Idrizi, në një letër njoftuese kishte njoftuar se ka vendosur që të largohet nga Partia Demokratike e Kosovës, që nënkupton edhe dorëheqjen e tij nga të gjitha pozitat e deritashme që ka ushtruar në kuadër të partisë.
“Duke marrë parasysh rrethanat objektive dhe subjektive, kam konsideruar të pamundur vazhdimin e aktivitetit tim politik, partiak e institucional në kuadër të Partisë Demokratike të Kosovës. Ngjarjet në Partinë Demokratike të Kosovës, përkatësisht Degën e PDK-së në Gjilan, rrodhën në atë mënyrë saqë e ngushtuan shumë, hapësirën e veprimit tim politik. Prandaj këtu dhe në kuadër të kësaj dege, (të cilën e kam pasur edhe bazën time të veprimit dhe angazhimit politik), e ndiej vetën të tepërt dhe të panevojshëm. Dëshiroj të ju falënderoj për punën dhe bashkëpunimin e deritashëm që kam pasur me ju, duke mbetur me bindje se na ndajnë konceptet e idetë politike, por jo edhe synimi. Megjithatë synimi mbetet i përbashkët”, thuhej në letrën e Idrizit. /2lonline/