Valbon Krasniqi, ushtrues i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka vizituar Klinikën e Gjinekologjisë, me theks të veçantë hapësirat ku do të ngritet Qendra e IVF-së (procedura për frytnim të asistuar mjekësor).
Së bashku me drejtorin e Gjinekologjisë, Jakup Ismaili, dhe anëtaren e Bordit të SHSKUK-së, Agreta Gecaj-Gashi, drejtori Krasniqi ka parë nga afër punimet që po kryhen aty.
Krasniqi premtoi se projekti do të finalizohet në vitin 2021 dhe do ta ketë mbështetjen e plotë të menaxhmentit, por edhe do të monitorohet afërsisht në secilën fazë, në mënyrë që Qendra e IVF-së të kryhet sipas planifikimit dhe brenda afateve të parapara kohore.
Krasniqi, gjithashtu, përgëzoi stafin e klinikës për punën e bërë, në trajtimin e grave shtatzëna të prekura me virusin COVID-19.
“Klinika e Gjinekologjisë ka qenë shumë e angazhuar në trajtimin e pacientëve të prekur me COVID. Pavarësisht kësaj, këtu nuk janë ndalur asnjëherë as shërbimet tjera të nevojshme mjekësore”, tha Krasniqi.
Ndërkaq, drejtori i Gjinekologjisë, Jakup Isamili, bëri të ditur se, që nga fillimi i pandemise, në këtë klinikë janë trajtuar 102 gra shtatzëna të infektuara me COVID-19.