(2L ONLINE) – Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), mund të vijnë edhe lëvdata për punën e pozitës në Gjilan, e jo vetëm kritika. Dhe kjo ka ndodh kur është në pyetje panairi i ekspozimeve dhe shtijës të produkteve vendore, që për përfaqësues të këtij subjekti politik opozitar, ka qenë një punë e mirë dhe e hajrit.
Riad Rashiti, Këshilltar i Kuvendit Komunal i PDK-së , ka thënë se Panairi ishte puna e parë e hajrit nga komuna. Sipas tij, nga fillimi i kësaj qeverisje lokale, organizimi dhe mbajtja e panairit 2014, ishte puna e parë e hajrit që është bërë nga komuna e Gjilanit, gjegjësisht nga Drejtoria për Zhvillim Ekonomik.
“Ne e vlerësojmë këtë punë, por edhe për seriozitetin që ka treguar kjo drejtori, në angazhimin dhe përkushtimin që ky panair të organizohet dhe të realizohet sa më mirë, çfarë edhe duhet të jetë çdoherë. Kjo është rruga përmes së cilës komuna e Gjilanit ka mundësi për t’i mbështetur bizneset e vogla dhe të mesme, të regjionit të Gjilanit për promovimin e prodhimeve dhe shërbimeve të tyre. Kjo gjë është shumë e rëndësishëm për vetë bizneset por edhe për rritjen e zhvillimit ekonomik lokal dhe rajonal”, ka thënë Rashiti.
Ai ka thënë se për nga niveli i këtij panairi, e vlerësojnë se organizimi, dizajni, pjesëmarrja dhe interesimi në përgjithësi kanë qenë shumë të mira. Ky organizim tregon më së miri se nëse punohet me seriozitet, mund edhe të arrihen rezultatet e pritura dhe të dëshiruara nga organizatorët.
“Prandaj, krejt kjo është mirë, sepse më në fund pas më shumë se shtatë muajsh, qeverisja e re komunale, për herët të parë, arriti të finalizojë një punë të hajrit. Të cilën vet e ka planifikuar, organizuar dhe realizuar. Kjo është për ta çmuar dhe respektuar.”, ka thënë Rashiti.
Por, natyrisht opozita si opozitë e ka llupën e saj dhe Rashiti edhe këtu gjen pak “zi”. Ai thotë se e kuptojnë se në çdo organizim mund të ketë ndonjë lëshim apo gabim të vogël , por që është krejt normale. Sipas itj, organizimi i këtij lloji të panairit, në këtë vit nuk është mbajtur për herë të parë në Gjilan , por është mbajtur nga viti 2012, me rastin e organizimit të manifestimit “Ditët e Diasporës”, e ku ishin mbajtur edhe shumë aktivitete tjera për bashkatdhetarët tanë, përveç organizimit të panairit, janë mbajtur edhe dhe debate me bizneset nga disapora, promovim i turizmit, aktivitete kulturore dhe sportive etj.
Ai tha se po ashtu edhe nga drejtoria për bujqësi janë mbajtur disa panaire gjatë këtyre viteve, si edhe me Agjensionin e Zhvillimit Regjional Lindje, është mbajtur panair rajonal, i një niveli jashtëzakonisht të mirë.
“Por, realisht ne e pranojmë se në këtë vit organizimi, interesimi dhe pjesëmarrja e bizneseve në këtë panair ka qenë më e mirë dhe më e madhe. Kjo është mirë, sepse edhe ashtu duhet që për çdo vit të përmirësohen dhe rriten organizimet e tilla, e që janë në interes të të gjithëve, duke mos i mohuar edhe organizimet e kaluara dhe duke mos i përvetësuar organizimet e tilla”, thotë Rashiti.
Ai tha se besojnë dhe presin që edhe më tutje që vazhdohet me organizime të këtilla nga komuna e Gjilanit, si dhe të realizohet mbajtja e konferencës së donatorëve, sepse vetëm kështu mund të ndihmohen dhe mbështeten bizneset e komunës së Gjilanit, të cilat drejtpërdrejtë ndikojnë në rritjen e punësimit dhe të zhvillimit ekonomik.
“Punët e mira duhet të çmohen dhe respektohen nga të gjithë, ndërsa të këqijat duhet të luftohen dhe eliminohen po ashtu nga të gjithë”, thotë Riad Rashiti i PDk-së. /2L ONLINE/