/“E vërteta është më e rëndësishme se miqësia” – Sokrati/
Shkruan: Ismajl KURTESHI
/2L ONLINE/ – Serbëve të Kosovës menjëherë pas lufte u janë siguruar të gjitha të drejtat e njeriut dhe ato kombëtare. Gjuha serbe është bërë gjuhë zyrtare në tërë territorin e Kosovës, përkundër faktit se në Kosovë jetojnë më pak se 5% serb, ata i kanë shkollat në gjuhen e tyre, me programe të Serbisë nga çerdhet deri në fakultet, punësimi i serbëve në institucionet publike të Kosovës është në proporcion me përqindjen e banorëve madje shpesh përtej kësaj përqindjeje.
Serbët e Kosovës, padrejtësisht përmes decentralizimit në baza etnike, në shumë fusha janë të privilegjuar si në: përfaqësimin në Kuvendin e Kosovës, në Qeverinë e Kosovës, shërbime diplomatike, FSK, SHPK, etj. edhe pse hapur deklarojnë se nuk e njohin Kosovën. Ata pas lufte nuk e kanë krye as një obligim ndaj shtetit të Kosovës, nuk i kanë paguar shtetit tatim, nuk e kanë paguar për rrymën elektrike dhe as për ujin që e kanë shpenzuar, nuk i kanë regjistruar automjetet për vite të tëra, nuk kanë raportuar për punën e tyre në institucionet e Kosovës. Ata edhe pse i kanë shitur pronat e tyre para e pas luftës, përfitojnë shtëpi fal, të ndërtuara nga buxheti i Kosovës, si në kohen e kolonizimit në mes të dy Luftërave Botërore. Pra serbet e Kosovës i gëzojnë të gjitha të drejtat dhe shumë privilegje.
Komunat me shumicë serbe nuk e kanë as një pengesë për t’u bërë pjesë e asociacionit ekzistues të komunave të Kosovës, disa prej tyre madje edhe kanë qenë pjesë e këti asociacioni, deri në momentin kur Serbia ka kërkuar të tërhiqen. Bazuar në këto që u thanë, qytetarët serb dhe as komunat me shumicë serbe nuk kanë nevojë për një bashkësi të komunave një etnike, e aq më pakë për bashkësinë që e dizajnoj Serbia, sepse ata nuk do të përfitojnë asgjë më shumë nga asociacioni, sa u përket të drejtave të tyre.
“Zajednica” është projekt i shtetit të Serbisë. Serbia nuk po e bënë këtë bashkësi për serbët e Kosovës por po e bënë hapin vendimtar për ndarjen e Kosovës dhe legalizimin e ndërhyrjes dhe ndikimit të saj në të gjitha fushat e jetës në Kosovë.
Që nga mesi i viteve 90-ta, kur filloi shthurja e ish-Jugosllavisë, ndarja e Kosovës ishte bërë qëllimi parësor i politikës serbe. Vlen të përmenden planet e Akademisë serbe, akademikëve: Dobrica Çosiqit, Branimir Krstiqit, Aleksandër Despiqit, Stavan Majstorov, Dushan Batkoviq, Institutit për studime gjeopolitike në Beograd etj.
Ish kryeminstri serb Zoran Gjingjiq e kishte të përpunuar strategjinë për ndarjen e Kosovës. Ai kishte propozuar:
• Ndarje territoriale;
• Garanci efikase për serbët që mbesin nën pjesën shqiptare;
• Status të veçantë të objekteve fetare.
Kurse Plani i ish-presidentit serb Boris Tadiqit, parasheh formimin e entitetit serb në komunat multi- etnike, por me shumicë të theksuar serbe. Këtyre komunave do të ju garantoheshin lidhje të drejtpërdrejta me Beogradin. Serbët do të kishin të drejtën në policinë lokale e jurisprudencë si dhe në vetë administrimin lokal
Vendimet e Kuvendit të Kosovës, sipas Planit të Tadiqit, do të jenë valide vetëm nëse për ato voton edhe shumica e deputetëve serbë.
Pjesë e etnitetit serb do të ishin edhe qendrat më të rëndësishme të besimit ortodoks në Kosovë.
Plani i Qeverisë serbe për Kosovën-“më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”, parasheh autonomi për serbët e Kosovës në kuadër të Kosovës, ndërsa për Kosovën autonomi në kuadër të Serbisë.
Ndërkombëtarët, që insistonin në shpalljen e Kosovës shtet multietnik, edhe pse 95% e qytetarëve të Kosovës janë shqiptar, po i miratojnë në vazhdimësi kërkesat serbe për ndarje në baza etnike. Edhe pse në lidhje me kërkesat e pa arsyeshme të Serbisë, Drejtori i Iniciativës Ballkanike të Institutit Amerikan për Paqë z.Daniel Server, me kohë pati tërhequr vërejtjen se serbët në emër të decentralizimit po mundohen ta ndajnë Kosovën në baza etnike. z.Server ndër të tjerat pati thënë: “Ndarja në vija etnike nuk është zgjidhje për Kosovën…., ky nuk është parim në harmoni me standardet moderne të të drejtave të njeriut”. Mirënjohja dhe respekti për miqët nuk do të thotë heqje dorë nga të drejtat tona. Sokrati para 2400 viteve ka thënë:“E vërteta është më e rëndësishme se miqësia“. Këtë e dijn dhe e respektojnë edhe miqë.
Në bazë të kërkesës së adresuar përmes Deklaratës Presidenciale të Këshillit të Sigurimit, më 30 prill 2004, u themeluar grupi i Punës për Qeverisjen Lokale i bashkëkryesuar nga UNMIK-u dhe Institucionet e Kosovë.
Dokumenti kornizë i këti grupi synonte qeverisje lokale më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës përmes:
• Transferimit të pushtetit nga qendra në komuna;
• Përcaktimit të rregullave të qarta mbi ndarjen e kompetencave, në mes të pushtetit qendror dhe atij lokal;
• Krijimit të një sistemi efikas të mbikëqyrës;.
Duke pasë parasysh rëndësinë e këtij procesi për të ardhmen e vendit, Kuvendi i Kosovës në vitin 2005 ka nxjerrë dhe miratuar tridhjetë e katër rekomandime. Po i përmend disa nga ato rekomandime që edhe sot janë në fuqi por nuk po respektohen:
• Raportet midis nivelit qëndror dhe lokal duhet të definohen qartë.
• Komuniteteve pakicë nuk duhet t’u ofrohet pushtet veto-je.
• Të gjitha komunave duhet t’u barten kompetenca të njëjta .
• Policia nuk është kompetencë e përshtatshme për t’u bartur në nivelin lokal.
• Pilot-projektet nuk duhet të kenë lidhje territoriale me njëra-tjetrën.
• Asnjë pilot-projekt nuk do të krijohet në vendet ku ekzistojnë strukturat paralele.
• Riorganizimi territorial nuk duhet të bazohet mbi kriterin etnik.
Përfaqësuesit e Kosovës në Bruksel në momentin kur kanë pranuar të negociojnë me Serbin për çështje të brendshme të Kosovës, kanë hequr dorë nga pavarësia e Kosovës. Marrëveshjet që ata i kanë nënshkruar në Bruksel janë prapakthim i madh politik e diplomatik. Kryeministri Mustafa publikisht është zotuar se “zajednica” nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, ky njeri jo vetëm se ka nënshkruar një dokument që i garanton “zajednicës” kompetenca ekzekutive e Serbisë sovranitet në një pjesë të territorit të Kosovë, por pas kthimit nga Brukseli filloi të fyej e kërcënoj secilin që doli kundër “zajednicës”. Se Isa Mustafa nuk denjon me i mbrojtur interesat e kombit kjo dihet që nga vitet tetëdhjeta, por na habiti ky fjalor i rrugëve e sjellje kapadaiu, nga një profesor e politikan me përvojë, që kulmoj në vitin 1989, kur shqiptarët përjashtoheshin nga puna e persekutoheshin masivisht. Ky zemërim na bënë të dyshojmë se mos profesori – politikan, e gëlltiti pa vetëdije ndonjë substancë që ja turbullon mendjen e që e bëri të nënshkruaj e flet gjëra që as nuk nënshkruhen e as nuk fliten. Mendimtari Aleksandër DYMA, ka thënë: “ Zemrimi është shenjë dobësie”. Kurse Varlen ka thënë:” Egërsia është streha e fundit e çdo pushteti në shkatërrim”.
Sa i përket Thaçit e Editës, ata janë specializuar të nënshtrohen në Bruksel e ta mashtrojnë popullin në Kosovë. Sipas këtyre
Serbia e ka njohur Pavarësinë e Kosovës nja 15 herë, institucionet e Kosovës e kontrollojnë çdo cep të vendit, fusnotën do ta shkrinin rrezet e para të diellit, liberalizimi i vizave ndodh çdo tre muaj, kurse integrimi i Kosovës në BE është çështje ditësh. Mirëpo këta bashkë me Isën e kanë humbur besimin e qytetarët, prandaj deklaratat e ndonjë ndërkombëtari për bashkëpunimin e mirë të tyre, për të quar ujë në mulli të Serbisë ju ka mbet i vetmi ngushëllim.
Si do që të jetë “Zajednica” që po insiston Serbia nuk do të kalon, sepse një krijesë me të drejt vetoje, që është kundër pavarësisë së Kosovës dhe legalizimin e ndërhyrjes në rregullimin e brendshëm të shtetit që ka pretendime territoriale ndaj Kosovës do ta bëjë jofunksional Shtetin që shqiptarët e kanë krijuar me gjak e sakrifica të mëdha. Komunat me shumicë Serbe mund të bëhen pjesë e asociacionit ekzistues të Komunave ose ta formojnë një asociacion identik. Serbisë duhet t’i mohohet e drejta e ndërhyrjes në Kosovë. Ajo mund të interesohet për minoritetin serb aq sa e pranon interesimin e Shqipërisë dhe Kosovës për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Udhëheqësit që nuk janë të zotët me e mbrojt sovranitetin dhe funksionalitetin e vendit duhet të shkojnë. Qeveritarët aktual po e dëshmon këtë për çdo ditë. /2L ONLINE/
/autori është deputet i Parlamentit të Kosovës/