Komiteti Komunal për Mbrojtje dhe Shpëtim (KKMSH) ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt. Gjatë këtij takimi është bërë me dije se nga gjithsej 53 qytetarë vitias të infektuar me virusin COVID-19, 44 prej tyre janë shëruar dhe se pritet të bëhen edhe disa ritestime që mund të rrit numrin e të shëruarave në këtë komunë.
Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti gjatë takimit të KKMSH-së tha se numri i qytetarëve të shëruara nga koronavirusi në këtë komunë është rritur në 44 duke potencuar se nuk ka më raste të reja në këtë komunë. Ai shtoj se prej përhapjes së këtij virusi e deri me tani janë bërë 200 testime për COVID-19 dhe se prej tyre kanë qenë të infektuar 53 kurse tani janë shëruar 44.
“Përsëri kemi lajme të mira për qytetarët vitias që numri i të shëruarave nga virusi COVID-19 është duke shkuar në rritje. Urojë që pas ritestimeve ky numër të rrite edhe më shumë dhe të ju kthehemi normalitetit”, u shpreh kryetari Haliti.
Ai tha se ka pranuar ankesa nga qytetarët dhe bizneset të cilët për shkak të masave të pandemisë nuk mund të punojnë por potencoi se ka kërkuar mirëkuptimin dhe durimin e qytetarëve. Kryetari Haliti shtoj se duke e ditur gjendjen e vështirësuar financiare të qytetarëve vitias nga gjendja e pandemisë KKMSH ka bashkëpunuar ngushtë me donatorë të ndryshëm që të ju ofrojë qytetarëve në nevojë pako me matriale higjenike dhe ushqimore.
Gjatë këtij takimi kreu i kësaj komune kërkoi nga qytetarët të respektojnë udhëzimet e ekspertëve, në veçanti të mbajnë distancën sociale, të mos grumbullohen dhe të mbajnë higjienën. Ai shtoj se kjo komunë do të vazhdoj me masat parandaluese kundër përhapje së këtij virusi duke përmendur pastrimin, klorifikim dhe dezinfektimin e hapësirave të ndryshme.
Ndërkaq gjatë këtij takimi Komandanti i Stacionit Policor në Viti, Kapiten Afrim Halili dhe Drejtori i Inspekcionit, Skënder Ahmeti kanë folur për vazhdimin e bashkëpunimit të inspektorëve dhe policës për të siguruar që po respektohen udhëzimet nga niveli qendror për parandalimin e përhapjes së virusit pandemik COVID-19.