(2L ONLINE) – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri ka thënë të premten se kjo do të jetë dita e tij e fundit e punës në këtë objekt të Komunës së Gjilanit sepse nga e hëna do të zhvendoset nga këtu dhe ky objekt to ti bartet, zyrës për trashëgimi kulturore, ku drejtoria për kulturë do të jetë bartëse e programit dhe po ashtu një organizatë me prestigj të madh siç është Trashëgimia pa kufij, që është partnere në themelimin e Muzeut të qytetit të Gjilanit.
“Ky objekt të hënën në orën 10:00 do të lirohet përfundimisht për muze. Po ashtu do të bëjmë një zgjidhje alternative të përkohshme edhe për Kinemanë dhe Bibliotekën e Qytetit ku besojmë se këto projekte do të realizohen në një periudhë afatmesme më të qëndrueshme” ka thënë Haziri.
Përndryshe, lirimi i selisë së kryetarit për muze kishte qenë premtim i Hazirit edhe përgjatë zgjedhjeve lokale. Pasi kishte fituar mandatin e kryetarit, ditën e parë të punës, si kryetari i Komunës, Haziri e kishte filluar me pritjen e drejtuesve dhe përfaqësuesve të institucioneve kulturore, e pikërisht vendimi i parë që kishte marrë Haziri pak orë pas pranimit të detyrës, kishte të bënte pikërisht me sektorin e artit. Sipas këtij vendimi, objekti i kryetarit të Komunës, do ti dhurohej sektorit të artit dhe se në këtë ndërtesë do të vendosej Muzeu. Dhe, ndonëse ishte pritur kjo të ndodhte shumë më herët, tani u bë e ditur se do të jetë pikërisht 1 korriku, kur do të lirohet ky objekt për muze. Më mirë vonë se kurrë, thuhet në popull. / 2L ONLINE/