Gani Neziri, drejtor i kësaj drejtori thotë të jetë i kënaqur me efikasitetin e zyrtarëve të tij, ndonëse synon standarde edhe më të larta. Ai thotë se ndihet i kënaqur kur palët dalin nga kjo drejtori me një punë të mbaruar, prandaj i inkurajon shërbyesit civilë që të jenë sa më të përkushtuar ndaj obligimeve të tyre.
“Vëllimi i punës dhe efikasitetit në drejtorinë për gjeodezi, kadastër, pronë dhe banim, që është një nga sektorët më të ndjeshëm shërbyes në qeverisje, këtë vit është rritur dukshëm. Të gjitha lëndët e kompletuara procedohen dhe zgjidhen brenda afatit ligjor, ndonëse rrallë ndodh që qytetarët të presin 29 ditshin e lejuar për të marrë përgjigje, qoftë pozitive, ose qoftë negative”, ka thënë Neziri.
Ndryshe, të dhënat e kësaj drejtorie flasin për një shtim të numrit të lëndëve të zgjidhura në këtë gjashtë mujor, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kështu, në sektorin e banimit, për gjashtë muaj, janë kryer 433 lëndë, ose 106 për qind më shumë se në gjashtëmujorin e vjetëm. Kjo nuk nënkupton se në periudhën e njëjtë të vitit 2009, ka munguar efikasiteti, por kërkesat e palëve nuk kanë qenë më të mëdha.
Krahasimi dëshmon se ky shërbim është i aftë të procedojë të gjitha kërkesat e drejtuara nga qytetarët, pavarësisht numrit të tyre. Rritje të numrit të lëndëve ka pasur edhe në sektorin e pronës, nga 670, sa ishin në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, në 682 – në periudhën janar-qershor 2010.
Në sektorin e kadastrës janë proceduar 950 lëndë dhe të gjitha janë kryer, derisa në sektorin e gjeodezisë janë pranuar 348 kërkesa, ndërsa janë përfunduar 302, ose 76 më shumë se në gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Gani Neziri nuk e përjashton mundësinë që ndonjë kërkesë e qytetarëve të mos zgjidhet brenda afatit ligjor, të cilin ai e konsideron të shenjtë, por sqaron se në raste të tilla bëhet fjalë për lëndë të pakompletuara nga pala, përndryshe kjo nuk do të ndodhte./2lonline/