/2L ONLINE/ – Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) i Komunës së Gjilanit ka mbajtur të enjten takimin e radhës, nën drejtimin e kryesueses Valentina Bunjkau-Rexhepi, ku kryetari i Komunës, Lutfi Haziri ka paraqitur raportin 6-mujor.
shih shkrimin: Haziri paraqet raportin 6-mujor: Standardi i dyfishtë nuk është pjesë e punës sime
Bujar Nevzati, nga PDK-ja e Gjilanit, anëtar i Kuvendit Komunal, njëherësh anëtar edhe i Komitetit për Politikë dhe Financa, e ka “përshëndetur” praninë e kryetarit të komunës në takimin e këtij komiteti, siç ka thënë, për herë të parë pas 18 muajsh. Ndër tjerash, në rend dite ishte edhe raporti i punës së kryetarit të komunës për këtë gjashtëmujor, i cili pritet të dal para Kuvendarëve në seancën e radhës, të cilës i paraprinë pikërisht takimi i këtij Komiteti.
Nevzati thotë se prania e Hazirit në këtë takim të komitetit ndodhi pas trysnisë së opozitës, por kërkoi ta dijë pse raporti i kryetarit nuk është miratua nëpër komitete, siç është e paraparë me ligj, pastaj të vije në Komitetin për Politikë dhe Financa, por, siç thotë ai, nuk mori përgjigje konkrete as nga kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi e as nga kryetari Lutfi Haziri.
“Si zakonisht, mbeta pa përgjigje e rendi i ditës u miratua me shumicë votash dhe kryetari Haziri pastaj i tha disa fjalë lavdëruese për punën e tij, pa asnjë vërejtje a pengesa që i ka hasur në punën e tij, ose sugjerime për punën e ardhshme gjashtë mujore”, ka thënë Nevzati i PDK-së.
Ai tha se ky raport i kryetarit të komunës nuk është raport pune, por raport vetëlavdërimi e mashtrimi ashtu siç di ta bëjë vetëm Lutif Haziri.
Nevzati ka bërë me dije se në këtë takim ka ngritur mjaftë pyetje pasi deshi të dijë se pse në raport pune nuk janë futur të metat , dobësitë dhe propozimet si me qeverisë më mirë, pastaj, pse në raport nuk janë futur ndërtimet pa leje, sa të hyra i ka komuna nga ndërtimet që po bëhen në komunë.
Po ashtu ai tha se shprehu interesimin të dijë se çfarë ka përfituar Gjilani nga shuarja e Drejtorisë së Inspekcionit dhe Drejtorisë për kulturë, Rini e Sport, pse nuk e ka pasqyrua kryetari i komunës raportin e Flakës së Janarit, në raportin e tij, çka po ndodhë me lumin Mirusha, pse nuk po qëndron në vendin e tij të punës, pse nuk po jep asnjë informatë për vizitat turistike të tij, çka po përfitojnë qytetarët nga këto vizita e shumë pyetje të tjera , por në të gjitha këto pyetje, siç thotë Nevzati, nuk mori përgjigje konkrete, por përgjigje të tilla siç di ti jap vet Haziri, pa asgjë konkrete në to.
Pritet tani të shihet në seancën e radhës të Kuvendit Komunal se si do të pasqyrohet ky raport dhe cili do të jetë reagimi i anëtarëve të Kuvendit, veçmas të atyre në opozitë. /2L ONLINE/