(2L ONLINE) – Njëri ndër premtimet e kryetarit të Gjilanit Lutfi Haziri përgjatë fushatës zgjedhore ishte edhe ai që selia ku ndodhet tani kryetari i komunës të lirohet për muze të qytetit. Pas marrjes së detyrës, kryetari i Gjilanti Lutfi Haziri e kishte marr një vendim për një hap të tillë, por se, sipas ish drejtorit të Drejtorisë për Rini, Kulturë e Sport Veton Nevzadit (PDK), ky vendim po vonohet dhe për një vonesë të tillë nuk ka arsye.
Nevzadi ka thënë se rëndësia e projektit për Muzeun e Qytetit konsiston në krijimin e një adrese në Komunën e Gjilanit ku do të mund të paraqitet gjithë trashëgimia kulturore të kësaj ane, e po ashtu edhe në edukimin kulturor të qytetarëve për trashëgiminë kulturore të qytetit dhe rrethinës sonë.
‘Prandaj, Komuna, respektivisht kryetari i komunës nuk do të duhej të vonohej aq shumë në zbatimin e vendimit të cilin e ka marrë sapo ka marrë timonin e komunës. Premtimi i dhënë në Qendrën Kulturore “Varg e Vi” (i nënshkruar) në praninë e komunitetit kulturor të Gjilanit kishte të bënte me një zbatim të shpejtë, e që do të ishte çështje ditësh pas marrjes së detyrës. Tash vendimi është marrë, por zbatimi I tij nuk duket askund!”, thotë Nevzadi.
Sipas tij, të gjitha punët procedurale janë të kryera gjatë vitit 2013 falë angazhimit të palodhshëm të Komisionit Komunal për Themelimin e Muzeut të Gjilanit.
“Me këtë rast, do të duhej që dikush nga institucionet të falënderojë publikisht anëtarët e këtij komisioni në përbërje: Sherafedin Kadriu, Magbule Xhemaili, Faik Sahiti, Selvije Shefkiu dhe Enkelejda Arifi nën konsulencën shkencore të Prof. Dr. Fejaz Drançolli”, ka thënë Veton Nevzadi, ish drejtor i Drejtorisë për Rini, Kulturë e Sport (PDK), në qeverisjen e kaluar. /2l Online/