/2L ONLINE/ – I fundit në vazhdën e konferencave të shefave të grupeve politike që përfaqësohen në Kuvend Komunal, të cilat i organizon Zyra për Informim e komunës së Gjilanit, është prezantuar Nevzad Isufi (LVV), i cili i ka shprehur vlerësimet e tij për punën e asamblesë dhe të ekzekutivit, për periudhën e parë të këtij viti duke u shprehur se kjo qeverisje e Gjilanit keq e kishte nisur këtë mandat dhe keq edhe po e vazhdon.
Isufi i Vetëvendosjes duke folur për punën e qeverisë komunale në këtë 6 mujor, ka thënë se vlerësimi i Lëvizjes Vetëvendosje është se nuk janë parë shumë ndryshime pozitive, krahasuar me punën e vitit të kaluar.
Sipas tij, kjo,deri në fillim të prillit kryesisht jemi marrë me çështje të vitit të kaluar. Kjo nënkupton që për vitin në të cilin jemi, kemi filluar të punojmë në fund të prillit, përkatësisht në seancën e tretë të prillit, me ç`rast po ashtu paraqitet plani i punës së Kuvendit për vitin 2015. Prandaj nëse nuk është punuar asgjë për periudhën katër mujore, pra deri më 30 prill të vitit 2015, arsyetimi ekziston, s`kemi pasur plan pune. Me këtë dua të them se punohet pa plan, ndërsa ato që ekzistojnë nuk janë të mira, madje as si të tilla nuk respektohen. Pra, qeveria komunale punon me improvizime, ad-hoc”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, asnjë drejtori nuk ka paraqitur plan pune për këtë vit, me përjashtim të Këshillit komunal për siguri ne bashkësi. Prandaj kjo qeveri keq ka filluar dhe keq po vazhdon edhe më tutje, sepse nëse nuk ke plane, s’di t’i bësh mirë ato, atëherë si paska mundësi që të njëjtit të punojnë mirë. Pra njëherë bëhen planet e pastaj projektet.
Por edhe kur jemi te projektet, sipas Isufit kemi të bëjmë me shumë projekte të bëra në letër e të mbetura si të tilla, bëhet fjalë për projekte të filluar, por kurrë të përfunduara deri më tash, bëhet fjalë për projekte të lëna përgjysmë, bëhet fjalë për projekte të harruara.
“Nuk mund të mos e përmendim projektin për kompleksin memorial të varrezave të dëshmorëve, i cili është filluar nga qeveria komunale e kaluar dhe po vazhdon të mbetet i papërfunduar edhe nga qeverisja komunale të Haziri, i cili, të gjithëve na kujtohet se edhe gjatë fushatës zgjedhore edhe me ardhjen në krye të komunës pat premtuar se së shpejti do të fillojnë punimet dhe do të përfundoj këtë projekt. Por gjithashtu të gjithë jemi dëshmitarë se aty nuk është punuar asgjë, apo ne nuk e dimë domethënien e fjalës “së shpejti” thotë isufi.
Sipas tij, vargu i projekteve të pa realizuar e të pa filluara e të lëna për gjysmë është i gjatë, prandaj për ilustrim, ai tha se po përmend disa prej tyre, si projekti rreth kompleksit të shkollave të mesme, i kaluar nëpër dy qeveritë e fundit komunale, i diskutuar edhe në qeverinë Haziri, që do të duhej të ishte kaherë i përfunduar e ai as që ka filluar dhe as që ka shenja se do të nis. Projektin e parkut Dardania po e përcjell i njëjti fat, Projekti tashmë i bërë “Hit” jo vetëm në Gjilan, por edhe në tërë Kosovën, rregullimi i shtratit të lumit Mirusha, i cili le që nuk po realizohet, por ka përpjekje të ndryshohet e devijohet, pa të drejtë, pa konsultim e miratim të askujt, projekti për tregun e gjelbër e plotë projekte të tjera.
Ai po ashtu tha se disa projekte të filluara nga Qeveria e PDK-së e të vazhduara edhe nga kjo qeveri e Hazirit, si ato për sigurimin e ujit të pijshëm nëpër fshatra; si Livoq i poshtëm, Kmetoc e Miresh, të përuruara si të përfunduara, deri para pak kohësh,kanë qenë jofunksionale, e disa edhe sot funksionojnë vetëm pjesërisht. Kështu në Miresh, në bazë të analizave laboratorike, uji nuk i plotëson kushtet për t’u përdorë për pije. Në Kmetoc vetëm tash po punohet në funksionalizimin e ujësjellësit, në Livoç të ulët projekti është përcjellë me plot defekte.
Brenda kësaj periudhe të qeverisjes nuk kemi parë të fillojë a përfundoj asnjë projekt kapital. Po të shikoni faqen e internetit të komunës, ndër më të varfrat është ajo e projekteve të realizuara. Aty nga viti 2011 e këndej nuk figuron asnjë projekt i realizuar. Kjo qeveri tregohet e papërgjegjshme në dhënien e përgjigjeve të anëtarëve të kuvendit e rrjedhimisht edhe të qytetarëve, duhet shtruar të njëjtën pyetje shumë herë e duhet pritur gjatë, e kur merr përgjigje ajo s’ka fare të bëjë me çështjen e shtruar, ose është e vonuar dhe e humbet rendësinë dhe aktualitetin. Natyrisht ka edhe përjashtime për disa drejtorë që janë më të përgjegjshëm, thotë isufi.
Sipas tij, tashmë është e dukshme si riorganizimi i drejtorive në njësi në kuadër të Zyrës së Kryetarit dhe Shuarja e Drejtorisë së inpeksionit brenda periudhës gjashtëmujore të qeverisjes, moskompletimi i tyre me staf profesional, funksionimi edhe më tutje me ushtrues detyre, po japin rezultatet e tyre, veç se ato nuk janë pozitive. “Lulëzimi” i ndërtimeve pa leje është i dukshëm nga çdo qytetar, pasojat e këtij “lulëzim” do t’i vuajmë gjatë të gjithë, madje edhe gjenerata e ardhshme.
“Nga kjo qeveri po bëhen shkelje të rënda ligjore që dëmtojnë qytetarët, duke punësuar njerëz pa konkurs dhe duke mos respektuar kushtet e konkursit edhe kur ata shpallen, duke punësuar njerëz me kontratë në vepër, duke punësuar bashkëpartiak e familjarë të tyre, duke emëruar e transferuar drejtorë pa konkurs”, thotë tutje Isufi.
Sipas tij, kjo qeveri deri më tash, tepër pak është shprehur vetëkritike për shkeljet lëshimet apo gabimet e bëra. Rëndom faji është hedhur diku tjetër, te buxheti limituar,te borxhet, te të tjerët, por assesi te vetvetja.
“Për të gjitha këto përgjegjëse është qeveria komunale dhe kreu i saj. Kryetari duke ushtruar një varg postesh qeveritare e ministrore nuk po mundet asesi të përshtatet me punën e Kryetarit të komunës, nuk po i bëjnë përshtypje punët e përditshmërisë së jetës së qytetarëve, siç janë çështjet infrastrukturore në përgjithësi: shtruarja e rrugëve, rregullimi i ujësjellësve, ndërtimet pa leje, ndërtimet e shtretërve të lumenjve, uzurpimet e pronës shoqërore, për të cilat s’po ka kohë të të mjaftueshme të merret me to, por po ka kohë për vizita të shpeshta jashtë vendit, me çështje të Gjykatës speciale që nuk është çështje e domenit të tij, e nga të cilat s`kanë përfituar deri më tash dhe as s’përfitojnë asgjë as qytetarët e Gjilanit e as të Kosovës në përgjithësi”, shprehet Isufi i Vetëvendosjes.
Sipas tij, kryetari i komunës po përpiqet që nën presionin e riorganizimit apo siç po e quajnë formatizimit të qeverisë komunale, të mbaj në tension për të punuar më shumë disa drejtorë, por kjo deri tash nuk po jep rezultate.
“Kësaj qeverisjeje i mungon një çasje më konstuktive ndaj opozitë. Ajo deri më tash përgjithësisht ka injoruar kërkesat e opozitës edhe atëherë kur ato janë krejtësisht të arsyeshme dhe të elaboruara mirë. Qasja revanshiste e pozitës dhe shtyrja e inateve tregon shkallën e ulët demokratizimit te vërtetë të saj”, thotë Isufi.
Ai shprehet se pozita thotë vazhdimisht se opozitës po i jepet hapësirë e mjaftueshme, është fjala për t’u shprehur në Kuvend, por kjo sipas Nevzadit nuk është kurrfarë hapësire, kur nuk përfillet asnjë ide a propozim a qëndrim i saj, por paraprakisht konsiderohet si diçka me prapavijë apo tendencioze.
“Pra nga këndvështrimi i pozitës gjithçka është në rregull, pra krejtësisht bardhë, opozita sipas tyre sheh vetëm zi. Pra gjendja reale mbetet e përhimtë apo krejtësisht “gree”. Gjë që nuk është e mirë. Këtë po e thonë vet qytetarët, të cilët nuk po e fshehin zhgënjimin e thellë të tyre. Prandaj në këto kushte e me këtëformë të punës, po nuk u ndryshua qasja,një e ardhme më e mirë për qytetarët e Gjilanit është mjaft skeptike”, thotë në fund Nevzad Isufi, shef i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Gjilanit. (2LONLINE)