Në kuadër të aktiviteteve të Ditëve të Mërgatës, që organizohen nga zyra e kryetarit të Komunës së Gjilanit, për bashkatdhetarët tanë janë paraparë një mori aktivitetesh, e ndër to edhe performanca “Të fala nga Gjilani”.
“Nesër mbrëma, duke filluar nga ora 19:00, te pjesa e argjendarëve të qytetit, do të jepet performanca “Te fala nga Gjilani”, e cila në vete përmban një përmbledhje me poezi e kënge që vijnë të artikulueme prej aktorëve të Teatrit të Qytetit të Gjilanit dhe prej zanit të mrekullueshëm të Diana Toska”, ka bërë të ditur, përmes një postimi në profilin e tij, Erson Zymberi, drejtor në Teatrin e Qytetit të Gjilanit.
Ai ka ftuar në këtë ngjarje qytetarët gjilanas e në veçanti bashkatdhetarët të cilët, siç thot ai, i japin shumë dashni, jetë e plotë ngjyra qytetit tonë, e për të cilët vjen ekskluzivisht ky aktivitet. “Të fala nga Gjilani”, që është një vokacion artistik i krijuar për një performacë të hapur ose “open air”.
Përndryshe pjesë e këtij programi që bëhet nën regjinë e Ekrem Sopit, janë edhe aktorët: Alban Shahiqi, Njomëza Kalaveshi, Ernest Zymberi, Safete Mustafa-Baftiu, Avni Shkodra, Tringa Hasani e Gani Rrahmani.