Në prag të ndeshjes derbi në mes të FC Drita – SC Gjilani, në një konferencë me media, kryetrajneri i Dritës, Zekirija Ramadani dhe futbollisti, Albin Prapashtica, folën për atë se çfarë mund të ndodhë në fushë të blertë.
Ramadani tha se derbi i Anamoravës gjithmonë ka qenë ndër më të zjarrtët në Kosovë.
“Në këto ndeshje mund të vendos një detaj, gjithmonë mund të vendos një gabim i njërës skuadër dhe të mbaroj ndeshja. Është e vështirë të fitohet, pa marrë parasysh objektivat. Do të jetë një ndeshje e rëndë, ndeshje e luftuar, një ndeshje që të dyja skuadrat kemi nevojë për pikët. Objektivi jonë dihet që është trepikëshi, me luftë sportive, me angazhim, përndryshe nuk fitohet asnjë ndeshje. Çdo ndeshje e ka atë rëndësinë dhe cilësinë e vetë, unë mendoj që edhe kjo përveç që na duhet tre pikshi për të mbajt hapin për kreun e tabelës, me dy skuadrat rivale, na duhet edhe për gjendjen psikologjike, sepse dihet kur njëra skuadër fiton në qytet ndihet më e avancuar”, ka thënë Ramadani.
Gjatë konferencës u fol edhe për pauzën dy javore kampionale për shkak të ndeshjeve të kombëtareve.
“Për ekipin tonë është mjaft e mirëseardhur, sepse kemi zhvilluar mjaft ndeshje nëpër fusha të vështira dhe me një fitore nesër ato dy javë do të kalojnë shumë shpejt, duke qenë vetë të gëzuar, duke i gëzuar tifozët tanë, drejtuesit tanë dhe familjarët tanë. Shpresoj që këto dy javë t’i kalojmë aq mirë pas fitores së nesërme”, përfundoi Ramadani.
Ndersa, futbollisti Albin Prapashtica tha se është ndeshje e vështirë dhe në derbi mund të vendos një detaj.
“Nesër na pret një ndeshje shumë e vështirë, sepse e dim se në derbi mund të vendosin edhe detajet. Kështu ne do të jemi të koncentruar maksimalisht dhe shpresoj të arrijmë deri te fitorja”, ka thënë Prapashtica.
Përndryshe, ndeshja do të zhvillohet te fusha sintetike, nesër nga ora 13:00. /2LONLINE/