FBI po heton rrethin e Presidentit Trump për mundësi të bashkëpunimit me Rusinë. Një hetim i këtij niveli dhe i kësaj natyre përket me kategorinë e shkaktimit të krimit tradhti ndaj atdheut që në SHBA është e rregulluar në mënyrë strikte me ligj (Ligji USC & 793, U.S.Code, Title 22, chap. 11 Sub. 11. sec 611. U.S. Code-Tit 22, Ch.11, Subch. II, sec.611=2008).
Shkruan: Fadil Kajtazi
Dihet që bashkëpunimet me shërbimet inteligjente të këtij niveli dhe të kësaj kategorie janë shumë të sofistikuara, sidomos kur bëhet fjale për shërbimet ruse dhe vërtetimi i fajësisë është shumë i vështirë.
Në punën e shërbimeve inteligjente-pjesa e kundërinteligjencës, punën më të vështirë e ka dokumentimin e tradhtisë; fiksimin e kontaktit të tradhtarit (spiunit) me shërbimin armik.
Historia e shërbimeve inteligjente e vendeve demokratike njeh shumë raste që spiunët janë ditur, por në pamundësi të dokumentimit, nuk janë penalizuar.
Prandaj FBI e ka të vështirë t’i vë kapakun kësaj çështje në të dy drejtimet, si për të dokumentuar tradhtinë eventuale, ashtu edhe për ta hequr dilemën ndaj administratës së Trumpit.
Mos dokumentimi ne çdo rrethane do t’i lë hije të keqe administratës Trump.
Fatkeqësisht, në kushtet kosovare, dokumentimi i veprimtarisë antikushtetuese të kategorisë së profilit të lartë, në këtë rast i presidentit, nuk kërkon ndonjë dije të stërholluar, pasi ai këtë veprimtari është duke e bërë në mënyrë shumë transparente.
Presidentin e vendit kushtetuta e obligon që të jete gardian i ruajtjes se tërësisë territoriale dhe integritetit te vendit.
Presidenti i vendit në mënyrë transparente lobon dhe krijon opinion ndërkombëtarë për copëtimin e vendit në favor të një shteti që ka qëllime armiqësore ndaj Republikës së Kosovës.
Të mjaftueshme janë deklaratat e tij publike për të konstatuar dhe vërtetuar krimin ndaj rendit kushtetues të Kosovës dhe AKI, Prokuroria e Shtetit kanë argumente të mjaftueshme për të vepruar ngjashëm sikurse FBI, në rastin e Roger Stone.
Nëse nuk veprohet shpejt, Kosova do te përballet me dëme te pariparueshme, ku tradhtia ndaj atdheut do të shndërrohet në modë!