Nëse nuk miratohet buxheti i Kosovës për vitin 2020 në afatin ligjor kjo do të nënkuptonte një kolaps shtetëror në aspektin financiar.
Nga: Avdyl JERLIU
Zakonisht vendet në tranzicion dhe me demokraci të brishtë janë të predispozuara të krijojnë këso lloj krizash politike, buxhetore e çka jo tjetër. Në këto vende siq është edhe Kosova jonë e dashur pas zgjedhjeve politike krijohen paqartësi dhe situata të pakëndshme. Zgjedhjet parlamentare të 6 Tetorit 2019, e shpërfaqën paaftësinë e subjektit politik fitues për ndërtimin e institucioneve të Kosovës dhe tani po na e rrezikon funksionimin e shtetit në aspektin financiar.
Kjo logjikë e të bërit politikë nuk duhet vazhduar që sa herë të kemi zgjedhje parlamentare ta rrezikojmë funksionimin e shtetit të Kosovës në aspektin financiar, politik dhe kombëtar.
Kjo legjislaturë duhet të marr obligim që ta rregullojnë në aspektin ligjor këtë problematik rreth miratimit të buxhetit dhe mos ta fusin vendin çdo të dytin vit në kolaps financiarë.
Duhet që kjo legjislaturë të bëjë reformën zgjedhore të shumë përfolur dhe të premtuar para të gjitha zgjedhje, vite me radhë.
Të jenë të vëmendshëm edhe në rishikim të buxhetit sepse çdo vitë, qe tre vite radhazi që nuk është rishikuar buxheti dhe dihen pasojat nëse nuk ka rishikim të buxhetit, atëherë nuk ka ridestinim të mjeteve financiare dhe ka mungesë të realizimit të projekteve ku nuk mundet të shpenzohet buxheti në bazë të nevojave të entiteteve buxhetore.
Ligji mbi menaxhimin e financave publike
Ligji mbi menaxhimin e financave publike thotë në mënyrë decidive se buxheti i shtetit duhet të miratohet më së largu deri më datë 31 Dhjetor të çdo viti fiskal. Data 31 Dhjetor mundet të përjashtohet në këto rrethana vetëm nëse zgjedhjet janë mbajtur në 4 mujorin e fundit të vitit fiskal. Në këto raste ka mundësi të shtyhet miratimi i buxhetit dhe shkohet në shfrytëzim të buxhetit edhe për dy muajt e ardhshëm të vitit të ri fiskal dhe ndahet 1/12 e buxhetit të vitit fiskal.
Nëse deri në muajin Prill nuk mundet të miratohet buxheti atëherë do të ketë krizë buxhetore dhe bllokad financiare.
Në raste të tilla, Kryetari Kuvendit të Republikës së Kosovës mund ta autorizojë Ministrin në detyrë të financave për shfrytëzimin e buxhetit edhe për muajin Mars, pas kësaj periudhe ligjore të gjitha kodet buxhetore bllokohen dhe Kosova futet në krizë të thellë buxhetore, bllokadë financiare.
Duam të besojmë që klasa politike e Kosovës të arrijë një marrëveshje për ndërtimin e institucioneve për të qeverisur vendin, sepse nuk ua kemi borxh me na lënë pa paga, pa barna, pa ndihma sociale për kategoritë e ndryshme të shoqërisë, pa përkujdesje institucionale me një fjalë pa Zot shtëpie, vetëm e vetëm me i realizua ambiciet tuaja të poshtra. Qytetarët e kanë kryer punën e tyre me 6 Tetor dhe e kanë autorizuar me votë partinë politike fituese që ti përfaqësoj interesat e Kosovës duke i krijuar institucionet e vendit në kohë reale dhe në afat ligjor dhe jo ti përfaqësoj interesat e individëve të sëmurë për pushtet ku interesin e vetë e vendosin para interesit të Kosovës.
Nëse nuk do të ndodh krijimi i institucioneve, atëherë duhet të mendohet opsioni tjetër që partitë politike të tregojnë vullnet dhe të jenë të gatshme për të bashkëqeverisur së bashku në një qeveri teknike për një periudhë të caktuar me qëllim që ta zhbllokojnë vendin dhe ta miratojnë buxhetin, mandej ta përgatisin vendin për zgjedhje të reja.
Nëse rastësisht nuk miratohet buxheti në afat ligjor shteti i Kosovës do të hyj në një bllokadë financiare që do të jetë shumë serioze dhe e rrezikshme për vendin.