Nënë Tereza, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Migjeni, janë këto disa nga emrat e shkrimtarëve dhe veprimtarëve shqiptarë që në të ardhmen pritet t’i mbajnë rrugët e Bujanocit.
Në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal në Bujanoc u aprovua Vendimi mbi ndryshimin e emrave të rrugëve dhe shënimin e shtëpive me numra në territorin e qytetit.
Ky ndryshim i parë në vete përmban 22 emra të rinj të rrugëve, si nga “Svetozar Markoviq” në “Migjeni”, apo “Qirili dhe Metodije” që do të ndryshohet në rrugën e “Shën Gjergjit.
Në këtë vendim përveç ndryshimit të emërtimit të rrugëve përfshihet edhe sheshi “Vëllazërim-Bashkimi”, i cili në të ardhmen duhet të mbajë emrin “Sheshi i Paqes”, raporton portali informativ Titulli.com.
Duhet theksuar se Komisioni i përbërë prej shtatë anëtarëve, katër shqiptar dhe tre serb, këto ndryshime i ka paraparë në rrugët që kryesisht janë të banuara me shqiptarë dhe romë.
Përndryshe, në Bujanoc rreth 80 rrugë dhe lagje sa janë të emërtuara, vetëm një mban emrin e shqiptarit Ramiz Sadiku.
Ky vendim për ndryshimn e emrave të 22 rrugëve, që u votua nga shumica e Këshilltarëve në Kuvendin Komunal, duhet të marrë edhe dritën e gjelbër nga Ministria e Vet-administrimit Lokal, ndërsa me marrjen e lejes Drejtorati për Urbanizëm është i obliguar që emrat e rinj t’ia përcjellë Shërbimin e Kadastral për Patundshmëri dhe më pas të pasojë ndryshimi i emërtimit të rrugëve.
Vlen theksuar se në vitin 2011 ishte propozuar ndryshimi e emrave të rrugëve i cili më pas ishte votuar nga këshilltarët shqiptarë në Kuvend, mirëpo ky vendim i Bujanocit nuk kishte marrë edhe pëlqimin e Ministrisë.