Nëntogeri i FSK-së, Afrim Zabeli, më 13 dhjetor 2018, kishte diplomuar në Shkollën e Aviacionit Tokësor të Turqisë, duke u bërë piloti i parë i helikopterëve në kuadër të Forcës së Siguresë të Kosovës. Nëntoger Zabeli, në mesin e 26 oficerëve të tjerë pjesëmarrës të këtij trajnimi u shpall njëri ndër tre më të mirët.
Në ceremoninë e diplomimit mori pjesë edhe gjeneral brigade Naim Haziri, komandant i Brigadës së Mbështetjes së Operacioneve (BMO). Gjeneral Haziri u prit nga komandanti i shkollës, gjeneral brigade Nadir Gündüz, i cili i shprehu kënaqësinë e tij gjeneral Hazirit për bashkëpunimin e deritanishëm të ushtrisë turke me Forcën e Sigurisë të Kosovës. Ai po ashtu premtoi se shkolla e tij është e gatshme që të trajnojë edhe pilotë të tjerë të rinj nga radhët e FSK-së.
Ndërkaq, gjeneral Naim Haziri tha se “ është një ndjenjë e veçantë krenarie diplomimi i pilotit të parë të FSK-së. Sukseset e panumërta të FSK-së dhe ngritja e vazhdueshme e kapaciteteve të saj, tashmë e përfshijnë edhe pilotin e parë të FSK-së, nëntogerin Afrim Zabeli”.
Në Shkollën e Aviacionit Tokësorë në Turqi janë duke i vijuar mësimet edhe dy nëntogerë të tjerë të FSK-së, Atdhe Hasani dhe Krenar Voca.
Gjeneral Haziri, në emër të FSK-së e përgëzoi pilotin Afrim Zabeli, për përkushtimin dhe profesionalizimin e treguar gjatë trajnimit në Turqi, ndërsa dy pilotëve të ardhshëm, Atdhe Hasanit dhe Krenar Vocës ju dëshiroi diplomim sa më të shpejtë.
Diplomimi i pilotit të parë, është njëri ndër sukseset më të rëndësishme të Forcës së Sigurisë të Kosovës.