Në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst të Mbretërisë së Bashkuar, në një konkurrencë shumë të fortë, pas studimeve intensive shumë sfiduese, oficerja e FSK-së, nëntoger Ilirianë Bunjaku, fitoi çmimin “ Shpata Ndërkombëtare” si kadetja më e mirë ndërkombëtare.
Në ceremoninë e organizuar, me rastin e diplomimit të kadetëve të Akademisë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst, sot, përveç saj, me sukses diplomoi edhe nëntoger Ardit Deliu. Me këtë rast, shpatën ndërkombëtare, nëntoger Bunjakut ia dhuroi shefi i Shtabit të Mbrojtjes, gjeneral Nicholas Carter.
Rezultatet e treguara gjatë studimeve të kurorëzuara me titullin e kadetes më të mirë në këtë akademi, ndër më të famshmet në Botë, atë e bëjnë ambasadore të shkëlqyer të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Kjo e arritur e jashtëzakonshme e nëntoger Bunjakut është reflektim i profesionalizmit, aftësive dhe potencialit të madh të FSK-së në perspektivën zhvillimore të saj. Gjithashtu kjo është vlerë e çmuar e partneritetit tonë me Mbretërinë e Bashkuar si dhe mirënjohje e madhe për investimin e vazhdueshëm të tyre në kuadrot tona të talentuar.
Me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, përmes video-thirrjes ka uruar nëntoger Bunjakun për çmimin duke e vlerësuar shembull unik për vajzat dhe motivimin e tyre për uniformën ushtarake të FSK-së.
Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtnant Rrahman Rama, bashkë me urimin për suksesin e dy oficerëve tanë shprehu edhe krenarinë për çmimin e marrë nga nëntoger Bunjakut si dhe mirënjohjen e lartë për vlerësimin e lidershipit të akademisë së famshme Sandhurst.
Ky çmim është hera e dytë që ndahet për kadetë- oficerët nga Kosova, ku më parë fitues ishte kapiten Ismail Hoxha, i cili aktualisht shërben si instruktor në Akademinë Mbretërore Ushtarake në Sandhurst, kurse deri më tani në këtë akademi janë trajnuar 23 pjestarë të FSK-së. /2LONLINE.com/